Kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot se qeveria po humbet kohë dhe nuk po merr masat e duhura për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në këto momente vështirësie.
Një një intervistë për Ora News, Basha tha se qeveria duhet të miratojë sa më parë një paketë të dytë ndihme, pasi ajo e para jo vetëm ishte e pamjaftueshme dhe nuk prekte shumë grupime qytetarësh, por nuk ka filluar të shpërndahet ende dhe qytetarët nuk e kanë ndierë efektin e saj.
Basha tha se PD po bën gati propozimin e saj për një paketë mbështetëse për bujqësinë dhe turizmin, si dy prej degëve më të goditura të ekonomisë. Turizmi, veçanërisht ai bregdetar është goditur dhe nga tërmeti i 26 nëntorit.
Basha i bëri thirrje qeverisë Rama se deri sa të jetë gati një paketë e dedikuar për turizmin, të ndihmojë bizneset e kësaj kategorie më të njëjta masa që po aplikohen dhe për biznesin e vogël.
Duke krahasuar paketën e qeverisë Rama me atë të Kosovës, Basha tha se qeveria e Kosovës, mgjithëse drejton një ekonomi më të vogël, ofroi një paketë 3 herë më të madhe se ajo e qeverisë Rama dhe ka gati paketën e dytë.
Basha komentoi dhe masën e re të qeverisë për të shtyrë pagimin e qirasë për bizneset e vogla dhe studentët. Sipas tij, kjo nuk e zgjidh problemin por vetëm e shtyn atë dhe e bën më të vështirë pagesën në muajt pasardhës.
Ai tha se zgjidhja do të ishte subvencioni i qirasë që PD ka propozuar që prej datës 11 mars për të gjithë familjet në pamundësi pagese.