
Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi, të mërkurën, qeverinë Rama se nuk ka asnjë plan për sigurimin e vaksinës anti-Covid.
Në një mesazh në Facebook, Basha theksoi se shumica e shteteve në botë po punojnë për të porositur paraprakisht doza të vaksinave të mundshme ose të paktën po hartojnë një strategji për blerjen e saj, duke bërë gati buxhetet e nevojshmë.
Por, ‘qeveria Rama është e vetmja qeveri që nuk ka thënë ende asnjë fjalë dhe nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës,’ shkruan Basha.
Ai i bëri thirrje kryeministrit që të nisë sa më parë punën për përcaktimin e fondeve të nevojshme për vaksinën anti-covid dhe të nisin bisedimet me BE dhe SHBA në mënyrë që edhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të vaksinohen kundër covid19 sapo vaksina e re të jetë gati.
Basha theksoi se e njëjta mungesë strategjie që Rama ka pasur që prej marsit për të përballuar pandeminë, po vihet re dhe në sigurimin e vaksinës.
“Pasojat e kësaj neglizhence do të jenë fatkeqësisht shumë të rënda, si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë e shqiptarëve,” u shpreh ai.
Basha kërkoi transparencë dhe për vaksinat anti gripit sezonal që qeveria duhet të kishte blerë, për fondet që do të vihen në dispozicion për vaksinën anti-covid dhe çfarë protokollesh do të ndiqen për bërjen e kësaj vaksine me qëllim që tu sigurohet mundësia të gjithë shqiptarëve sipas radhës së përcaktuar nga niveli i rrezikut të ekspozimit.