Basha: Rama e ka kthyer Shqipërinë si Koreja e Veriut, asnjë investim në 6 vite

Basha: Rama e ka kthyer Shqipërinë si Koreja e Veriut, asnjë investim në 6 vite

“Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë dy vendet pa asnjë investim të ri të huaj në 6 vitet e fundit. Asnjë investim të huaj nuk ka sjellë Rama në Shqipëri në gjashtë vjet.”

Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një takimi me qytetarë në Gramsh.

Zoti Basha akuzoi Kryeministrin Rama se gjatë qeverisjes së tij ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj investimeve të huaja, për të mbrojtur klientët e tij:

“Dy investimet e fundit të huaja janë Devolli dhe TAP, s’ka më investime të tjera. Të dyja janë kontraktuar në kohën e qeverisjes tonë. Nuk ka më asnjë investim të huaj, i ka përzënë. Pse i ka përzënë? Për të mbrojtur klientët e tij Edi Rama përzuri investitorët e huaj dhe i zëvendësoi me klientët e tij.”

Ai mori si shembull kostot e shumëfishura të rrugëvë që i kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë, për interesat e ngushtë të Ramës dhe klientëve të tij:

“Me investime të huaja ka konkurencë. Po të ketë investime të huaja, nuk shkon dot 15-fish çmimi i autostradës. Po të ketë investime të huaja nuk grabitet dot haptazi në mes të ditës. Investimet e huaja përbëjnë kërcënim për hajdutët dhe sistemin e hajdutërisë që ka ndërtuar Edi Rama.”

Duke thekuar se qeveria Rama nuk paraqiti asnjë projekt për financim nga Bashkimi Europian në Samitin e Poznanit, Zoti Basha tha se qëllimi i vetëm i kësaj politike është grabitja.

“Për hajdutin psiqik nuk është prioritet të marrë financime nga projektet europiane. Ai preferon më mirë t’i nxjerrë paratë nga buxheti i  taksave tuaja dhe t’i vjedhë me 10 e 15 fish vlerën e preventivit. Në këtë mënyrë ai, familjarët e tij dhe një grusht njerëzish kanë krijuar pasuri marramendëse.”

Në fund, kreu i PD-së shprehu vendosmërinë për t’iu përgjigjur thirrjes së shqiptarëve për ndryshim, thirrje që lexohet qartë nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votimet e 30 qershorit:

“Partia Demokratike e Shqipërisë do të lidhë një kontratë besimi me të gjitha grupet e interesit,  njësoj si me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, konkrete, të zbatueshme, ku do të detajohen ato që ne marrim përsipër të bëjmë nesër, në qeveri.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>