Kreu i PD-së Lulzim Basha ka paralajëmruar se për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë nga qeveria Rama, vendi ndodhet afër humnerës nga ana e shëndetësisë dhe ekonomisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Basha theksoi se opozita ka 6 muaj që i bën thirrje qeveerisë që të marrë masat e nevojshme.
Lidhur me denoncimet e një dite më parë, për tejmbushjen e spitaleve Covid 1 e 2 dhe nevojën për një spital të ri, Basha tha se qeveria as e mohon as e pohon, por hesht:
“Heshtje totale! S’fshihet dielli me shoshë. S’mundet të pranojmë si opozitë se një çështje që ka të bëjë me jetën e çdo shqiptari, e gjeli të vazhdojë të kakarisë si pulë nga mëngjesi në darkë.
Sot duhet të kishte nisur hetimi për përgjegjësit, për ministren e shëndetësisë dhe të tjerët.”
Basha tha se një qeveri e përgjegjshmë nuk mund të shpëtojë me deklarata boshe si të Ramës:
“Masa e suksesit nuk është që të fusë kokën si struc, dhe të thuash; keni fat që infektimet s’kanë arritur tavanin e rekordit dhe vdekjet s’janë në nivelet alarmante.”
Ai i bëri thirrje Ramës që të reagojë sa më parë dhe të marrë masa urgjente pasi “nuk ka kohë për të pritur, dhe në rrafshin e shëndetësisë dhe atë ekonomik, vendi është afër greminës.”