
Kreu i PD-së Lulzim Basha vizitoi, të hënën, Sukthin për të parë nga afër familjet e përmbytura.
Një prej banorëve, shtëpia e të cilit është përmbytur, tha se që prej një jave ka ujë në shtëpi, i cili ka dëmtuar orenditë dhe gjithë tokat e mbjella.
Ai shpjegoi se në zonën e tyrë ka nevojë për ndërhyrje në sistemet e kullimet.
“Kanë ardhur, nuk ia heq këtë…por ti mos hajde kur bëhet përmbytje, hajde investo” u shpreh ai.
Një tjetër banor tha se përmbytjet ndodhin për shkak se qeveria nuk i ka përfunduar punimet:
“Po të përfundojnë punimet siç duhet, nuk përmbytet këtu. Janë dhënë premtimet, por investimet sjanë bërë.”
Banorët e zonës thanë se po ashtu kanë problem të vazhdueshme me ujin e pijshëm, për shkak të problemeve në tubacione.
Basha i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa urgjentisht për t’i ardhur në ndihmë banorëve:
“Mungesa e investimeve ka sjellë këtë situatë. Fjalë shumë, punë pak.
Teksa ju jeni në këtë situatë, ministrat e Ramës shtrohen për shtat palë qefe në restorantet luksoze të Emirateve.
Ku vend nuk është i varfër, është i vjedhur.”
Basha i premtoi banorëve se qeveria e tij do të jetë qeveria e qytetarëve, që mendon dhe investon për to.