Si pjesë e nismës së tij “Po të dëgjoj”, Kryetari i PD Lulzim Basha vizitoi sot një servis makinash dhe bisedoi me Nikun, pronarin e tij.
Gjatë bashkëbisedimit, një prej problemeve kryesore që pronari i servisit ndau me Bashën ishte mungesa e profesionistëve:
“Pak problem që të gjesh mekanikë specialistë. Në përgjithësi kanë ikur në Gjermani shumë.”
Kryetari i opozitës theksoi se dhe çmimi i lartë i karburantit dhe cilësia e keqe e tij janë probleme që ndikojnë çdo ditë qytetarët dhe sipërmarrje si ajo e Nikut.
Pyetur nga Basha se çfarë kërkon sipërmarrësi nga qeveria, ai iu përgjigj se duhet më shumë punë, më shumë klientë dhe rroga më të larta.
Lulzim Basha tha se biznesi i vogël që mbijeton sot mes vështirësive të mëdha do të jetë një nga prioritetet kryesore të programit ekonomik të PD në drejtim të vendit.