Arben Cara, bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Margjeka, ka kallëzuar penalisht prokuroren Enkeleda Millonai pasi e akuzon se ka shpërdorurar detyrën dhe ka penguar zbulimin e çështjes për të cilën akuzohet ai dhe bashkëshortja.
Enkeljda Millonai është prokurorja e SPAK që ka dosjen ku gjyqtarja Mimoza Margjeka akuzohet për korrupsion pasiv bashkë me bashkëshortin e saj Arben Cara dekanin e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Aleksandër Moisiu.
Cara në akuzën e tij thotë se prokurorja Millonai ka shtrembëruar provat në hetimin që po kryen duke fshehur përgjime të cilat sipas tij implikojnë persona të tjerë.
Sipas tij prokurorja në bashkëpunim me një oficer të policisë gjyqsore ka penguar zbulimin e të vërtetës duke mos urdhëruar përgjimin dhe vëshgimin e avoktates që mbron një nga të akuzuarit për veprën penale.
Cara gjithashtu e ka kallëzuar Prokuroren edhe në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë duke e arsyetuar ankesën për shkelje të ligjit proceduar për hetimet, shtrembërim të fakteve dhe nxjerrje të akteve të paarsyetuara.
Gjyqtarja Margjeka e konsideroi hetimin kundër saj dhe bashkëshortit si të nxitur politikisht duke argumentuar se po hakmerren ndaj saj për shkak të vendimit kundër kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako.