Bashkia Librazhd i jep për shfrytëzim pyjet kompanisë që priste pa leje

Nga Stafi i Exit
Bashkia Librazhd i jep për shfrytëzim pyjet kompanisë që priste pa leje

Bashkia e Librazhdit i ka dhënë dhjetëra hektarë pyje për shfrytëzim një kompanie, e cila më parë, në të njëjtën zonë, priste pa leje.

Gazeta Shqip dhe Top-Channel raportuan se dhjetëra hektarë pyje në njësinë administrative Polis të Librazhdit i janë dhënë me tender të dyshimtë kompanisë “Al-Mexwood”, e cila thuhet se Inspektoriati i Pyjeve e ka kapur duke prerë pemë të pamarkuara prej saj në këtë pyll.

Tenderi i Bashkisë Librazhd ishte me fond limit 76 milionë lekë dhe iu dha kompanisë “Al-Mexwood” e cila ofroi sa 96 për qind të fondit dhe ishte e vetmja në garë.

Nuk është e qartë se si, duke qenë nën ligjin e moratoriumit 10 vjeçar, Bashkia Librazhd jo vetëm jep tendera për shfrytëzimin e pyjeve, por nuk aplikon aspak kushte shtrënguese dhe kujdes në përzgjedhjen e kompanive.

Prej vitit 2016, me synim rigjenerimin e pyjeve, qeveria ka ndaluar për 10 vite me ligj prerjen e tyre. Një nga mënyrat e menaxhimit të zonave pyjore është duke prerë pemët në proces degradimi, apo ato të vjetra. Këto pemë markohen dhe prihen. Në rastin e “Al-Mexwood” ajo është kapur duke prerë dhe trasnportuar pemë të reja pikërisht në njësinë administrative Polis.

Bashkia Librazhdit ka pyje të shumta, sidomos në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës. Kjo zonë ka pasur vazhdimisht denoncime për prerje të paligjshme. Librazhdi drejtohet nga Kastritot Gurra, i cili njihet për miqësinë me kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla. Zoti Balla është akuzuar shpesh nga opozita si përgjegjës i masakrës së pyjeve në Librazhd.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>