Kryebashkiakia e Shkodrës Voltana Ademi ka kërkuar hetimin e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shkodrës për aksionin e shembjeve të ndërtimeve pa leje në Velipojë.
Në kallëzimin penal, dorëzuar në Prokurorinë Shkodër, bashkia akuzon IKMT-në dhe policinë për shpërdorim detyre.
Në datat 10 dhe 11 qershor, IKMT shembi 24 ndërtesa pa leje në bregdetin e Velipojës.
Bashkia Shkodër nuk kishte asnjë informacion për aksionin. Ademi kërkoi ndërprerjen e aksionit dhe i kërkoi IKMT-së të gjithë dokumentetet dhe vendimet për shembjen e ndërtesave, pasi dyshonte se shembja e tyre po bëhej në mënyrë të paligjshme, por kërkesat e saj u injoruan nga IKMT.
Prej një jave IKMT ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë, Tale dhe Dhërmi.