Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi të martën që të përjashtojë nga pagimi i tarifës së hapësirës publike, pronarët e bareve, restoranteve dhe hoteleve. Përjashtimi do të jetë në fuqi nga prilli deri në shtator të 2021.
Po ashtu të martën Këshilli vendosi që të shtyjë afatin për pagesën e tarifës vendore për të gjithë subjektet deri më 20 maj 2021.
Në fjalën e tij kreu i Bashkisë Erion Veliaj tha se ky ishte një vendim për të lehtësuar bizneset në kuadër të masave anti Covid.
“Do të thotë që ne do të falim të gjitha tarifat vendore për hapësirën publike të të gjitha bizneseve të bareve, restoranteve, lokaleve, kafeneve që konsiderohen biznes i vogël për periudhën Prill-Shtator 2021”, tha Veliaj.