Dy partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrimin dhe Lëvizja Besa, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit në Maqedoninë e Veriut, kanë bërë publik propozimet e tyre për ministra.
BDI do drejtojë gjashtë ministri, ndërsa Lëvizja Besa një prej tyre.
Bie në sy fakti se të dy drejtuesit e partive, Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami, nuk kanë marrë poste ministrore.
Nga partia Bashkimit Demokratik për Integrimin, Ali Ahmeti ka propozuar këto emra:
- Fatmir Besimin për Ministër të Financave,
- Kreshnik Bekteshin për Ministër të Ekonomisë,
- Bujar Osmanin për Ministër të Punëve të Jashtme,
- Naser Nuredinin për Ministër të Mjedisit,
- Artan Grubin për Ministër të Sistemit Politik dhe zëvendërkryeministër.
Ende nuk ka një propozim për Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ali Ahmeti ka deklaruar se do të këshillohet me organet drejtuese të partisë.
Lëvizja Besa do të drejtojë ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Ajo ka propozuar si ministër sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie Arjanit Hoxha.
Lëvizja Besa do të ketë dhe dy zëvendësministra: për Arsimin ka propozuar Arafat Shabanin, ndërsa për të Kulturës ka propozuar Sedat Sulejmanin.