Bashkimi Europian deklaroi dje se mund të vendosë sanksione ndaj disa figurave kryesore politikë të Maqedonisë dhe të ngrijë momentalisht bisedimet për integrimin e vendit në BE.
Paralajmërimet e BE-së erdhën një javë pasi Presidenti Gjorge Ivanovic urdhëroi pushimin e hetimeve për më shumë se 50 zyrtarë të lartë, mes të cilëve ish–Kryeministrin Nicolas Gruevski dhe disa ish-ministra të tij, të cilët po hetoheshin për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe një sërë akuzash të tjera.
I gjithë skandali në Maqedoni filloi më shumë se një vit më parë kur u bënë publike disa përgjime të politikanëve të lartë që hidhnin dyshime për manipulime të zgjedhjeve, kontroll të gjyqtarëve, përdorimin e drejtësisë kundër opozitës, marrëveshje të dyshimta biznesi, fshehje vrasjesh, etj.
Nga koha e shpërthimit të skandalit të përgjimeve, vendi gjendet në një krizë politike pasi partia opozitare Unioni Social Demokratik braktisi parlamentin dhe nuk pranon të hyjë në bisedime me partitë e tjera.
Gjendja e rënduar politike e ekonomike, por dhe amnistia e presidentit shkaktuan një valë protestash nga qytetarët, që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.
Pavarësisht këmbënguljes së Bashkimit Europian dhe SHBA-ve për zgjidhje të ngërçit politik, qeveria maqedonase pretendon se përgjimet janë vepër e agjencive të huaja të inteligjencës dhe se vendimi i presidentit për amnisti është mëse i drejtë. Presidenti Ivanovic deklaroi se nuk parashikon ta tërheqë vendimin.
Në kuadër të këtyre sanksioneve, u anullua dhe një takim mes katër partive kryesore maqedonase dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian që ishte planifikuar të zhvillohej më 22 prill në Vienë.
Në takim do të flitej për zgjedhjet e parakohshme të parashikuara për në qershor të këtij viti. Partia opozitare USD kërkon të bojkotojë zgjedhjet pasi pretendon se nuk janë përmbushur ende kushtet.
I njëjti qëndrim vjen dhe nga BE-ja e SHBA-të: vendi nuk është gati për zgjedhje të parakohshme të lira e të ndershme dhe se nuk janë bërë përpjekje për të qetësuar situatën e tensionuar si mes partive me njëra tjetrën, ashtu dhe mes qeverisë e qytetarëve.
Deri më tani, disa zyrtarë të BE-së, kanë deklaruar për media të ndryshme botërore se tërheqja e amnistisë nga presidenti është kusht kryesor që BE-ja të mos vendosë sanksione ndaj Maqedonisë. Një nga masat flitet se mund të jetë ndalimi i lëvizjes pa viza në zonën Shengen të qytetarëve maqedonas.