BE nuk ka zgjidhje të lehta për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
BE nuk ka zgjidhje të lehta për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor

Të martën, Komisioni Europian botoi Raportin e Përparimit për Shqipërinë. Në një shkrim të djeshëm unë ofrova komente për raportin, ku theksova se dokumenti ngjan më shumë me me një pamflet propagandistik të qeverisë se sa me një material të bazuar në fakte, mbi të cilin mund të merren vendimet e duhura nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian.

Sot, dëshiroj të analizoj çështjen më të gjerë të zgjerimit të BE-së dhe procesin e anëtarësimit në BE, në të cilin aktualisht janë përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë.

Aktualisht, BE po përballet me një dilemë të vështirë, e cila u duk qartë gjatë një shkëmbimi midis Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Në një fjalim në Parlamentin Europian, Presidenti francez Macron pohoi:

“Unë do të mbështes një zgjerim [të BE-së] vetëm pasi së pari të kemi një thellim dhe reformim të Europës sonë. […] Unë nuk dua një Ballkan që kthehet drejt Turqisë apo Rusisë, por nuk dua një Europë, e cila funksionon me vështirësi sot me 28 shtete dhe nesër me 27 shtete, të vendosë që ne mund të vazhdojmë të vrapojmë, për të qënë nesër 30 ose 32, me të njëjtat rregulla.”

Në përgjigje të kësaj, Presidenti Junkcer u shpreh:

“Nëse i heqim këtyre vendeve — në këtë rajon jashtëzakonisht të ndërlikuar, madje tragjik duhet ta them — perspektivën europiane, ne do të kalojmë sërish atë që kemi kaluar në vitet 1990-të. […] Unë nuk dua kthim tek luftërat e Ballkanit Perëndimor.”

Ideja e Makronit është që BE të hyjë në një proces reformash, në një “projekt të ri” për BE-në, përpara se të angazhohet për zgjerimin e mëtejshëm. Argumenti kryesor i tij është se vetëm përmes këtij reformimi, BE-ja do të jetë në gjendje të sprapsë rritjen e autoritarizmit nacionalist në vendet e BE-së, si Hungaria dhe Polonia, dhe rritjen e së djathtës ekstreme në Itali, Gjermani, Hollandë dhe Francë, të cilat ushqehen tek ndjenjat anti-BE. Por, kostoja e hyrjes në këtë proces reformash do të ishte pezullimi i procesit të zgjerimit, deri në një njoftim të mëtejshëm, duke shkatërruar shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u pranuar brenda dekadës së ardhshme dhe duke bërë të mundur rritjen e nacionalizmit,për më tepër në vetë kufijtë e BE, siç paralajmëron Juncker.

Pra, shkëmbimi që Makron propozon është midis rritjes së nacionalizmit brenda shteteve të BE-së, si reagim ndaj të mungesës së perceptuar të demokracisë së BE-së dhe rritjes së nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor si reagim ndaj ngrirjes së zgjerimit.

Megjithatë, dilema qëndron jo vetëm në vendimin lidhur me reformimin e BE-së dhe ngrirjen e procesit të zgjerimit. Dilema ka të bëjë me vetë procesin e zgjerimit.

Aktualisht, zgjerimi i BE-së kontrollohet nga dega ekzekutive e qeverisjes së BE, Komisioni Evropian (KE), më pak kontribut nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Evropian. Prandaj, procesi i pranimit në BE perceptohet dhe matet kryesisht si një proces harmonizimi të legjislacionit shqiptar me atë (acquis communautaire) të BE-së, negociuar midis qeverisë dhe zyrtarëve të pazgjedhur të KE, përfaqësuar nga ambasadori i BE-së në Shqipëri.

Vënia e theksit mbi nismat legjislative të nxitura nga dega ekzekutive, në vend që të krijojë mbështetje të gjerë qytetare dhe të nxisë mirëkuptimin e procesit të integrimit në BE, si brenda edhe jashtë BE-së, në fakt çon, pa dashje, pikërisht tek ajo lloj politike që paralajmëron Makron: qeverisjet autoritare, të kontrolluara nga ekzekutivi. Me fjalë të tjera, struktura e politikave të zgjerimit ironikisht riprodhon pikërisht ato mënyra të qeverisjes të cilat kundërshtojnë vlerat themelore të BE-së.

E parë nën këtë dritë, thirrja e Makronit për reformim të BE është kuptimplotë. Megjithatë, një reformë me të vërtetë demokratike dhe e mbështetur gjërësisht nga BE, do të prekte domosdoshmërisht thelbin e procesit të zgjerimit, duke e bërë pranimin potencialisht shumë më të gjithanshëm dhe më të vështirë: në vend të thjesht përmbushjes së një liste me ligje të harmonizuara, procesi i anëtarësimit do të përfshinte një reformë të thellë të mentalitetit shoqëror dhe politik. Pra, edhe pa ngrirjen e vetë zgjerimit, reforma në BE siç është propozuar nga Makron—sado e përgjithshme dhe e paqartë—kërcënon thelbin e regjimit aktual të zgjerimit.

Ndaj nuk është habi që Junker kërcënon me hiperbolën e rikthimit të luftrave. Reformimi i BE-së jo vetëm që do të kërcënonte pushtetin e jashtëzakonshmë ë ai dhe komisionerët e tij kanë mbi shtetet candidate për anëtare; por në formën e tij ideale, reformimi do ta vendoste makinën burokratike të BE-së nën mbikqyrjen e plotë të organeve të zgjedhura të BE-së, siç është Parlamenti Evropian. Kërcënimi i tij me “kthimin e luftës” nuk është thjesht një gjest retorik, përmes të cilit ai synon të mbrojë “përparimin e pashmangshëm” të procesit të zgjerimit; vetë procesi i zgjerimit është një nga simbolet më të rëndësishme të pushtetit së madh, relativisht të pakontrolluar, që ka sot Komisioni Evropian.

Zgjerimi i BE-së mbështet mbi një pushtet ekzekutiv të fortë dhe të fuqishme, si brenda BE-së, ashtu dhe në vendin kandidat. Çdo reformë e vërtetë do të kërcënonte këtë ekuilibër të fuqisë së njëanshme.

Në të njëjtën kohë, Junker ka shumë të drejtë kur vë në pah se ngrirja në mënyrë të qartë e procesit të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja dramatike, veçanërisht në Shqipëri. 96 për qind e shqiptarëve besojnë tek BE-ja, përqindja më e lartë krahasuar me të gjithë vendet e Evropës.

Politika kombëtare shqiptare, që nga viti 1991, është ndërtuar mbi premtimin e integrimit europian. Kjo është në thelb e vetmja pikë në të cilën të gjitha partitë politike pajtohen dhe ajo perceptohet si një fakt absolut që kushtëzon çdo konsideratë tjetër politike. Për pasojë, diskutimi politik shqiptar është shumë i varfër, si në asnjë vend tjetër. Çdo çështje që lidhet me qeverisjen, në thelb, mbështetet në pyetjen “a do të na sjellë më afër Evropës?” Debati politik zhvillohet vetëm përgjatë këtij aksi, dhe çështje të tjera të sovranitetit, të së mirës publike, të politikave të shëndetshme ekonomike dhe të “prioriteteve të tjera jo-kyçe” kalojnë në plan të dytë. BE është një nga dy faktorët më vendimtarë politikë në Shqipëri.

Nëse horizonti i anëtarësimit në BE do të zhdukej, do të mbetej vetëm diçka tjetër: krimi i organizuar. Në këtë rast—dhe në mungesë të një ambasadori të BE-së që shërben si patericë e qeverisë, duke i dhënë asaj një llustër qëllimi dhe drejtimi—qeveria do humbiste të gjithë legjitimitetin e saj, pasi do të ishte e paaftë për të bërë ndonjë përmirësim konkret për qytetarët; shumica e shërbimeve tashmë janë dhënë me koncesion ose PPP nga qeveria aktuale e Edi Ramës dhe vetëm pak mjete të pushtetit të butë shtetëror kanë mbetur. Përballë zhgënjimit të plotë, popullsia shqiptare do të kundërshtonte të gjithë sistemin politik, i cili do të kthehej, për pasojë, në një sistem tërësor patronazhi, financuar nga veprimtaria kriminale.

Pikërisht ky skenar, dhe jo lufta, do të ishte një skenar më realist për të ardhmen, nëse BE-ja do të pezullojë qartësisht procesin e zgjerimit. Në të njëjtën kohë, çdo reformim i BE-së me siguri do të ndryshojë qëllimet dhe procedurat e zgjerimit të saj, duke e bërë edhe më të vështirë për Shqipërinë që të anëtarësohet në BE.

Reformimi i BE-së mbart një kërcënim ekzistencial për BE-në dhe rreziqe serioze për destabilizimin e periferisë së saj, në periudhën afatshkurtër, dhe potencialisht përjashton mundësinë e zgjerimit për një kohë të pacaktuar. Megjithatë, mos reformimi i saj do të vazhdojë të mbjellë farën e keqe të nacionalizmit dhe autoritarizmit si brenda BE-së, ashtu dhe në shtetet kandidate. Në këto kushte, muk ka alternativa të mira, por ka vetëm një zgjedhje të drejtë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>