Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Belind Këlliçi denoncoi të dielën “një krim elektoral që po ndodh në Tiranë” dhe i bëri thirrje SPAK të hetojë.
Prej 2 javësh, në rr. “Milto Sotir Gurra” në Unazën e Re, po hidhet asfalt elektoral. Punimet i bëjnë natën, tha Këlliçi.
Ai njoftoi se nuk ka asnjë tabelë që informon banorët e lagjes për këto punime. “Nuk ka asnjë kontratë, asnjë tender, se nuk pret puna. Duan t’u hedhin hi syve banorëve me një shtresë asfalti që për punë muajsh do çahet si petë byreku”, tha ai.
Ai ka telefonuar policinë dy herë për këtë rast, por nuk ka pasur asnjë reagim nga policia, denoncoi Këlliçi.
Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK të nisin hetimet për këtë rast.
“Kërkoj vëmendjen e Prezencës së OSBE-së dhe misionit vëzhgues ODIHR në Shqipëri, dhe të ambasadave të shteteve mike, të veprojnë për të ndaluar këtë model abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë për qëllime elektorale”, tha ai.