
Qytetarët në Berlin do të protestojnë të shtunën kundër masave kufizuese për pandeminë Covid-19, pas vendimit të gjykatës për të lejuar organizimin e protestave, të ndaluara më parë si masë kundër përhapjes së Covid-19.
Një zëdhënës i gjykatës tha të premten se protesta, e cila pritet të mbledhë mbi 22 mijë njerëz, do të lejohet të organizohet në kushte të caktuara. Protestuesit, gjithsesi do të duhet të jenë të kujdesshëm për të zbatuar masat e distancimit social.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, policia e Berlinit bëri apel në Gjykatën e Lartë Administrative të qytetit për shqyrtim, por edhe ajo vendosi të njëjtën gjë: lejimin e organizimit të protestës.
Në vendimin e saj, gjykata shkruan se organizatorët e protestës kishin marrë “masa të mjaftueshme paraprake”, për të udhëzuar qytetarët që të zbatojnë distancimin social dhe të respektojnë rregulla të tjera të parandalimit të përhapjes së Covid-19.
Megjithatë policia është e shqetësuar se një prej masave kryesore, ajo e mbajtjes së maskave mbrojtëse, nuk do të respektohet nga protestuesit.
Pak ditë më parë, policia nuk pranoi kërkesën për organizimin e protestave, duke dhënë si argument kryesor pandeminë e Covid-19.
Një protestë e ngjashme në fillim të këtij muaji që u organizuar nga i njëjti grupim dhe pjesëmarrësit në të nuk vunë maska dhe nuk ruajtën distance nga njëri tjetri.
Si përgatitje për protestën e së shtunës, rreth 3,000 oficerë do të patrullojnë rrugët dhe monitorojnë turmat.