Gjermania kujton sot 30-vjetorin e rrëzimit të murit të Berlinit, një ngjarje që frymëzoi rrëzimin e diktaturave në lindje të Evropës dhe ribashkoi vendin.
Muri i Berlinit që nisi të ndërtohej më 13 gusht 1961 nga sovjetikët, u bë simboli i Luftës së Ftohtë. Ai ndante Gjermaninë Perëndimore me atë Lindore dhe ishte thuajse i pakalueshëm pasi ruhej nga ushtarë dhe kulla vrojtimi. Mbi 100 mijë përpjekje u bënë për ta kaluar, por vetëm 5 për qind kaluan me sukses. Numri i të vrarëve në përpjekje për të kaluar ka qenë mes 100-200 personave.
Ndarja e Gjermanisë u bë pas Luftës së Dytë Botërore. Lindja u vendos të kontrollohej nga sovjetikët, të cilët ngritën të ashtuquajturën Republika Demokratike e Gjermanisë, një shtet komunist i drejtuar sipas direktivave të Moskës me polici sekrete simotër e KGB-ës ruse që u quajt shkurt STASI (Sigurimi i Shtetit).
Ana perëndimore, e kontrolluar nga forcat aleate (Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-të) mbështetën ngritjen e Republikës Federale të Gjermanisë. Deri në fund të viteve ’50 kalimi mes dy vendeve lejohej, por bëhej nën masa të rrepta. Përshkallëzimi i ndasive politike mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit, çoi në ashpërsimin e masave në kufijtë e gjithë lindjes dhe kufiri më i ashpër ishte pikërisht muri që u ngrit mes Berlinit dhe që ndau Gjermaninë për rreth 30 vite.
Krisja e parë e murit nisi pas protestave të shumta të qershorit të vitit 1989 ku gjermano-lindorët kërkonin reforma dhe liri të lëvizjes. Hapja e kufirit mes Austrisë dhe Hungarisë nxiti lëvizje të mëdha nga Gjermania Lindore drejt Hungarisë e më pas drejt Austrisë. Autoritetet u gjetën të papërgatitura dhe për javë të tëra u ndeshën me masat e shumta që iu drejtuan kufirit.
Më 9 nëntor u vendos lejimi i kalimit të lirë në Berlin dhe kjo u festua gjerësisht nga gjermanët e të dy anëve me një masë të gjerë njerëzish që kaluan në mbrëmje në anën tjetër dhe nisën ta rrëzonin murin.
Rrëzimi i murit në Berlin nxiti valë protestash në gjithë vendet e Evropës Qendrore. Polonia, asokohe Çekosllovakia dhe Rumania ishin ndër vendet e para që shkundën regjimet komuniste. Vala u përhap më tej në Bullgari dhe Shqipëri një vit më vonë.
Rrëzimi i murit të Berlinit cilësohet si ngjarja që shkërmoqi edhe Bashkimin Sovjetik, pasi rreth 2 vite më vonë Boris Yeltsin hodhi firmën në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fundin e Luftës së Ftohtë me SHBA-të.
Gjithashtu rrëzimi i murit i hapi rrugë bashkimit të Gjermanisë, bashkim që u bë realitet më 2 tetor 1990.
Sot 30 vite pas kësaj ngjarje, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vendosur ta ndajë përkujtimin me udhëheqësit nga Sllovakia, Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria ndërkohë që ceremonitë zyrtare do t’i lënë vend festës së mbrëmjes në rrugët e Berlinit.