
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden do të zhbëjë një nga veprimet e fundit të Donald Trump duke bllokuar dekretin e tij për heqjen e ndalimit të udhëtimeve për vizitorët nga shumica e Evropës dhe Brazilit.
Zëdhënësja e Biden tha në Twitter se tani nuk ishte koha për të lehtësuar masat e udhëtimit.
“Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime në 1/26. Në fakt, ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të zbusim më tej përhapjen e Covid-19.”
Shtetet e Bashkuara vendosën kufizime udhëtimi në Evropë marsin e kaluar dhe ndaluan hyrjet nga Brazili në maj, por Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën që kufizimet do të mbarojnë në 26 janar, gjashtë ditë pasi Biden të marrë detyrën.
Joe Biden do të marrë detyrën të mërkurën, më 20 janar.
Siguria është intensive në Uashington DC përpara ceremonisë së përurimit.
Mijëra ushtarë rezervë të Gardës Kombëtare janë në gatishmëri pas sulmit në ndërtesën e Kapitolit nga një turmë pro-Trump në 6 Janar që la të vdekur pesë persona.