Presidenti Biden thotë se administrata e tij është e angazhuar për evakuimin e të gjithë shtetasve amerikanëve dhe afganëve që ndihmuan Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së saj 20-vjeçare në Afganistan.
Biden foli në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke u zotuar se do të evakuojë çdo amerikan ende në Afganistan që dëshiron të largohet. Biden tha se asnjë qytetar amerikan që dëshiron të largohet nga vendi nuk do të mbetet pas.
Biden u pyet nëse të gjithë aleatët afganë do të evakuohen. Ai u përgjigj: “Po. Ne po bëjmë të njëjtin zotim” për të evakuuar aleatët afganë siç kemi bërë me amerikanët në Afganistan.
Numri i saktë i afganëve që kualifikohen për evakuim nuk është i qartë, por besohet se janë dhjetëra mijëra.
Biden theksoi gjithashtu se asnjë shtetas amerikan nuk është ndaluar nga talebanët që të hyjë në aeroportin e Kabulit.
Pas konferencës së Biden, Shtëpia e Bardhë njoftoi se forcat amerikane kanë evakuuar në 24 orët e fundit 5 700 persona nga Afganistani.
Prej 14 gushtit ku nisi tërheqja e forcave të SHBA, janë evakuuar 13 mijë persona nga Afganistani.