Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden njoftoi të hënën se ka rritur kuotat e pranimit të refugjatëve nga 15 000 në 62 500 në vit.
Vendimi erdhi pasi Biden u përball më herët me kritika të forta, kur tentoi të ruajë kuotat e vendosura nga administrata Trump, bëjnë me dije mediat amerikane.
“Kjo fshin numrin historikisht të ulët, të vendosur nga administrata e mëparshme prej 15,000, i cili nuk pasqyron vlerat e Amerikës si një komb që mirëpret dhe mbështet refugjatët,” deklaroi ai.
Biden u shpreh se kufiri i ri synon të zgjerojë kapacitetet e SHBA-ve për të pritur 125 000 refugjatë – objektivi i vendosur për vitin e ardhshëm.
Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili kontrollohet nga Partia Demokratike e Biden, si dhe Unioni Amerikan i Lirive Civile përshëndetën vendimin korrigjues.
Ky i fundit përfaqëson një grup të fuqishëm advokimi për të drejtat e njeriut, të cilët shprehën miratimin e tyre, duke shtuar se bëhej fjalë për ruajtjen e reputacionit të vendit.