Shefja e epidemioliogjisë në ISHP, Silva Bino deklaroi të martën, në një intervistë për Lutfi Dervishin në “Përballë”, se duhet të vaksinohet dhe personat që e kanë kaluar Covid-19.
Bino pohoi se duhet të vaksinohet të gjithë qytetarët por prioritet kanë grupet e riskut.
“Të gjithë personat kanë nevojë për vaksinë. Natyrisht, por do të ishte mirë të vaksinoheshin fillimisht ata persona që nuk e kanë kaluar Covidin dhe që janë në grupet e riskut. Duhet bërë një prioritizim grupeve dhe midis tyre dhe grupeve të riskut. Vaksinimi do të kryhet shkallë shkallë, kështu do të kryhet në të gjitha vendet e botës”.
Deri më tani, katër vaksina anti kovid të prodhuara nga Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Sinofi kane treguar se ofrojnë 95% mbrojtje nga virusi.
Pfizer dhe Moderna kanë aplikuar pranë autoriteteve amerikane dhe evropiane për të nisur përdorimin. Britania i dha autorizimin kompanisë Pfizer për përdorim, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja ende nuk kanë dhënë autorizim.
OBSH ka rekomanduar imunizimin e 70 përqind të popullsisë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.