Presidenti Ilir Meta sqaroi sot arsyet se përse nuk e ka pranuar kërkesën e Ministrit Bushati për autorizimin e grupit për të negociuar me shtetin grek për marrëveshjen e detit.
Me anë të një konferencë për shtyp, Zoti Meta shpjegoi:
“Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë dhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen. Institucioni i Presidenti nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme lidhur me diskutimet që janë bërë me ministrinë e Jashtme të Greqisë.”
Presidenti tha se është i vendosur dhe i angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së detit, por se “është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë të gjithë procesit nga të gjitha institucionet e shtetit në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese numër 15 datë 15 prill 2010.”
Zoti Meta theksoi se “Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë jo vetëm për Presidentin, por të gjithë institucionet shqiptare që përfshihen në këtë proces, vija e kuqe e detyrueshme për zbatim.”
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Zoti Meta tha se kërkesa e ministrisë nuk plotësonte kriteret ligjore për qartësinë e objektit të diskutimit, nuk shoqërohej me relacionet shpjeguese dhe nuk përmbante përbërjen e grupit negociator, siç i kemi sqaruar më parë këtu.
Lidhur me pikën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese se “Presidenti është autoriteti më i lartë për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare”, Zoti Meta tha se nuk synon të jetë personalisht në krye të grupit negociator:
“Presidenti nuk synon të bëjë edhe atë rol që ja jep Gjykata Kushtetuese të ulet dhe drejtojë bisedimet. Kjo nuk do të ishte mirë as për Presidentin dhe as për shtetin sepse do të tregonte mungesë besimi tek cilido tjetër.
Presidenti nuk ka nevojë të caktojë njeri atje sepse të gjithë ata që do të marrin këtë besim, qoftë autorizimi, qoftë Plotfuqia është delegim i besimit të Presidentit në emër të shtetit për të bërë një marrëveshje shtetërore. Por Presidenti nuk mundet të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht dhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen.”
Presidenti Meta ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme plotësimin e mangësive në dokumentacion dhe listën emërore të grupit negociator. Në ditët në vijim pritet të merret vendimi përfundimtar për nisjen e bisedimeve me Greqinë.