Ky muaj shënon 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Mbarimi i saj ishte çlirim i madh për njerëzimin. Ishte një ngjarje e gëzuar për shqiptarët. Edhe pse trungu ynë kombëtar u copëzua, edhe pse mbetem një shtet i vogël, më në fund ishim një vend i njohur botërisht. Prapaskenat ballkanike kishin kërkuar copëzimin e trungut që mbeti, por vetoja e Presidentit Uilson ishte vendimtare për ardhminë e kombit—nëse fati i tij do të ishte në mëshirën e fqinjëve, sot nuk do të kishte Shqipëri.
Duhet kujtuar se rrugën e Luftës së Parë Botërore e hapën Luftrat Ballkanike, të cilat ishin përplasje të interesave të Fuqive të Mëdha të kohës dhe që të gjitha bashkoheshin të paktën në dëshirën për ta copëzuar krejtësisht Shqipërinë e dalë nga pavarësia e vitit 1912.
Sot, 100 vjet më pas, rajoni është sërish në një gjendje të paqëndrueshme. Si përherë në raste të tilla shumë komentatorë kujtojnë pragun e Luftrave Ballkanike dhe më pas të Luftës Botërore. Në skenë duket se kanë dalë, sërish, interesat e vjetra serbe, ose më mirë duhet thënë Bizantine, për kafshimin e territoreve shqiptare, ndërkohë që situata në Bosnje-Hercegovinë po për shkak të ndërhyrjes serbe është më e brishtë se kurrë.
Maqedonia edhe pse nënshkroi marrëveshjen e emrit me Greqinë është e paqëndrueshme dhe, sipas vëzhguesve nga terreni, përbplasja mes palëve mund të jetë e shpejtë, pasi ndërhyrjet ruse dhe serbe janë shtuar dhe kanë arritur të kenë ndikim tek popullsia maqedone. Mospjesëmarrja masive në referendumin për ndryshimin e emrit ishte dëshmi e qartë e gjendjes së brendshme në Maqedoni.
Në një situatë të tillë, cila duhet të ishte veprimi ynë?
Është folur disa herë nga ekspertë shqiptarë për një marrëveshje partneriteti strategjik me një vend mik në rajonin tonë, Kroacinë. Në fakt, qeveria Rama e shtyrë nga forca patriotike, filloi proces të tillë që në mandatin e parë të saj, dhe kemi një dokument që është dakordësuar në parim nga të dy qeveritë, dhe pritet vetëm që të firmoset nga palët.
Një marrëveshje bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve me Kroacinë jo vetëm ka interes të madh për Shqipërinë por është një marrëdhënie e natyrshme, për një sërë arësyesh,
Së pari, ka arësye historike. Në Kroaci jeton një komunitet i madh shqiptar, qysh nga koha e rënies së Skendërbeut. Ndërkohë që shumë kroatë të Dalmacisë vazhdojnë ta quajnë vetën ilirë.
Së dyti, ka arësye solidariteti. Shumë shqiptarë nga Kosova dhe rajone të tjera luftuan për çlirimin e Kroacisë nga pushtimi serb në periudhën 1991-1995.
Së treti, ka arësye që lidhen me besimin. Kroacia është një vend me shumcië katolike dhe si i tillë ka lidhje të drejtpërdrejta shpirtërore me shqiptarët katolikë, kryesisht, në Veriun tonë.
Ka edhe arësye gjeopolitike. Kroacia është rivalja me e madhe e Serbisë në rajon dhe si e tillë është mbështetësja më e madhe e çështjes shqiptare.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është fakti se me lidhjen e një partneriteti strategjik me Kroacinë, Shqipëria sheh nga Përendimi, duke u shkëputur nga Bizanti.
Nuk ka asnjë ngatërresë në përdorimin e termit Bizant—edhe pse kanë kaluar shekuj nga rënie e tij, sot më shumë se kurrë në rajonin tonë ka forca që po kërkojnë ta ringjallin duke futur në kufijt e tij edhe Shqipërinë.
Sipas, një burimi të mirë informuar diplomatik shqipëtar, Kryeministri Kroat Andrej Plenkovic është shprehur shumë entuziast për të nënshkruar një marrëveshje të tillë dhe ka pohuar se është i gatshëm të udhëtojë drejt Tiranës në cdo kohë, sapo të ketë një shenjë nga homologu i tij Rama që marrëveshja e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve do të firmoset.
Atëherë lind pyetja, pse ngurron pala shqiptare për të nënshkruar një marrëveshje të leverdisshme për ne? Një përgjigje e thejshtë është: sigurisht, nënshkrimi i një marrëveshje të tillë do të cënonte marrëdhënien personale Rama-Vuçiç dhe do e shkëpuste Shqipërinë nga ndikimi lindor, i Bizantit ku Kryeministri Rama e ka shtyrë më shumë se cçdo kryeministër tjetër gjatë tre dekadave të pas komunizmit.
Forcimi i marrëdhënieve kroato-shqiptare ul peshën e Serbisë në rajon dhe mbi të gjitha thyen mitin e ngritur me kujdes nga të dy udhëheqësit se raporti Rama-Vuçiç është elementi më i rëndësishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. Si Rama edhe Vuçiç kanë investuar shumë në krijimin e këtij miti—marrëdhëniet serbo-shqiptare po përmirësohen vetëm sepse ka dy udhëheqës që personalisht kanë një vizion dhe vullnet të ndryshëm nga të gjithë politikanët e tjerë në vendet e tyre respektive.
Ndërsa Rama e ka përdorur këtë mit vetëm për reklamë personale, Vuçiç e ka përdorur edhe për rritjen e peshës së Serbisë në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe në sigurimin e investimeve të huaja në Serbi.
Nëse befas do të krijohej një lidhje më e ngushtë mes Shqipërisë dhe Koracisë do të dobësohej ky mit dhe vetë roli i Serbisë, veçanërisht duke patur parasysh se Kroacia është anëtare e BE-së dhe ajo mund të luante një peshë më të madhe në rritjen e rolit të Shqipërisë në rajon. Do të dobësohej gjithashtu edhe pasha personale e Ramës dhe Vuçiçit në sytë e komunitetit ndërkombëtar, pasi marrëdhëniet me Kroacinë do të jepnin një model të ri marrëdhëniesh në Ballkan—marrëdhënie të zhveshura nga roli individual i udhëheqësve përkatës. Kjo do ta bënte Ramën më pak të rëndësishëm në suazën ndërkombëtare, dhe kjo është gjëja e fundit që ai mund të lejojë.