Blendi Çeka: PD dhe LSI më mirë në një listë të përbashkët në zgjedhje

Nga Exit News
Blendi Çeka: PD dhe LSI më mirë në një listë të përbashkët në zgjedhje

Vendimi i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të kandiduar me lista të veçanta deputetësh në zgjedhjet e 2021, është një nga vendimet më të rëndësishme që do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Kështu u shpreh pedagogu Blendi Çeka në emisionin “Me Pak Fjalë” ku shpjegua situata e partive dhe koalicioneve para zgjedhjeve të 25 prillit.

PD dhe LSI kanë vendosur që në zgjedhje të kandidojnë në një listë vetëm në qarkun e Kukësit, Dibrës dhe Gjirokastrës ndërsa në qarqet e tjera do të kandidojnë në lista të veçanta.

Çeka theksoi se “partitë politike marrin vendime racionale” për të rritur numrin e votave duke u nisur edhe nga të dhënat që ato kanë.

Megjithatë, sipas Blendi Çekës, “teorikisht dhe duke e kombinuar me kontekstin shqiptar do të ishte më interesante të dilnin me një listë të përbashkët”.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të reformës zgjedhore ishte ndryshimi nga koalicione me lista të veçanta në ato me listë të përbashkët. Partitë në koalicion duhet të paraqesin vetëm një listë të përbashkët kandidatësh dhe të regjistrohen si një subjekt i vetëm zgjedhor.

Kjo do të thotë se zgjedhësit do të votojnë për koalicionin, jo për partitë brenda tij, veç e veç. Ky ndryshim, i bën koalicionet më të vështira.

Por në kontekstin aktual të Shqipërisë, bashkimi i PD dhe LSI në një koalicion të përbashkët do të kontribuonte në krijimin e një fryme më të unifikuar opozitare çka do të rriste besimin e fitores së zgjedhjeve dhe mund të rrisë pjesëmarrjen.

Por nga ana tjetër, bashkimi i PD dhe LSI mund të krijojë një frymë mosbesimi mes votuesve tradicional të dy partive të cilët preferojnë të votojnë vetëm subjektin e tyre të preferuar.

Vendimi për të dalë veç ose bashkë në zgjedhje është “pjesë e inxhinierisë elektorale” tha Çeka.

“Nëse kanë marrë një vendim inteligjent ose jo do ta marrim vesh pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>