Bleta” – metaforë për Sislej Xhafën, “mbulim i krimit” për disa artistë

Bleta” – metaforë për Sislej Xhafën, “mbulim i krimit” për disa artistë

Me synimin fillestar për të urëzuar komunikim mes publikut dhe artit bashkëkohor, instalacioni “bleta” i artistit Sislej Xhafa që prej një jave po qëndron në hapësirën e landfillit të Sharrës në Tiranë. Por vendosja e veprës në këtë hapësirë ka spiralizuar një varg kritikash e reagimesh nga komuniteti artistik. Në verën e vitit 2016, i riu 17-vjeçar Ardit Gjoklaj kishte humbur jetën gjatë punës ilegale në deponinë e hedhurinave të kryeqytetit. Ky kishte qenë sipari i një përplasjeje të fortë mes një fronti të artistëve, aktivistëve e mediave që e akuzuan Bashkinë e Tiranës për vrasjen e Gjoklajt, madje edhe për ndërkallje interesash të funksionarëve të Partisë Socialiste dhe njerëzve të afërt me të. Për një grup artistësh në kryeqytetin shqiptar, vendosja e instalacionit në fjalë është përpjekje për të “fshehur” vendin e krimit, madje, sipas tyre, “është zhgënjyes mosreagimi i Xhafës”.

Prishtinë, 9 korrik – I gjithë instalacioni artistik fillon e mbaron në mënyrën më të thjeshtë. Është veçse një derë-dritare që në vend të xhamit ka një rrjetë mushkonjash. Vepra e artistit Sislej Xhafa, “bleta” është përshkruar si një sfidë ndaj gjithsecilit me rastin e instalimit të saj në hapësirën e trajtimit të mbeturinave në periferi të Tiranës, e njohur ndryshe edhe si landfilli i Sharrës.

E vendosur mes pemëve të sapombjella, në ditën e parë të korrikut, ndërhyrja artistike e artistit Xhafa është organizuar dhe kuruar nga platforma për art bashkëkohor “Harabel”.

Siç ishte shpjeguar në ftesën e përurimit, synimi i kësaj platforme është “shndërrimi i kësaj hapësire në një park të skulpturave të artit bashkëkohor”, duke e nisur këtë projekt largvajtës me “bletën” e Xhafës. Megjithëse instalacioni është pjesë e projektit “Free Art Project” që, sipas platformës, “synon të sjellë publikun më afër artit modern”, jo pak reagime artistike e kanë fshikulluar atë për lokacionin e zgjedhur.

Ata kanë risjellë në vëmendje rastin tragjik kur 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, më 7 gusht të vitit 2016, u gjend i pajetë mes mbetjeve të deponisë së Sharrës. Vdekja e tij, asokohe, ishte shpjeguar si pasojë e goditjes nga një ekskavator që punonte brenda hapësirës në fjalë.

“Mbulim i krimit”?

Që të nesërmen e promovimit të veprës së Xhafës, “Debatikcenter of Contemporary Art” kishte vlerësuar se arti po përdoret për të mbuluar vrasjen e një punëtori ilegal minoren.

Nëpërmjet një reagimi të afishuar në faqen e vet në Facebook, kjo qendër, duke fshikulluar Bashkinë e Tiranës, e kishte cilësuar projektin e saj për sheshin e ri në landfill si “përpjekja e parë nga Partia Socialiste për fshehjen e vdekjes së Gjoklajt”.

Gjithnjë sipas “Debatikcenter…”, vepra e Xhafës është përpjekja e radhës për të vijuar mbulimin e krimit.

“Në një kohë kur thirrjet për përgjegjësi institucionale dhe personale brenda botës së artit po bëhen globalisht gjithnjë e më shumë këmbëngulëse, ne iu bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve kulturorë të përfshirë në projekt për të pauzuar, reflektuar dhe për të qëmtuar seriozisht etikën dhe politikën e tyre para se të procedojnë tutje”, ishte thënë në reagim.

Xhafa: “Metaforë që ngre pyetje”

Nga e mërkura, KOHA ka provuar të kontaktojë platformën e artit bashkëkohor “Harabel”, porse ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të nisura as në e-mailin zyrtar dhe as në mediat sociale.

Vetë artisti 51-vjeçar, Sislej Xhafa, ka qenë krejt fjalëpakë për reagimet e zëruara nga kolegët artistë në Tiranë. Instalacioni i sapovendosur, sipas tij, është një përvojë që nderon njerëzimin.

’Bleta’ është një përvojë që nderon njerëzimin dhe ndihmon në krijimin e një dritareje që vepron si metaforë e transparencës dhe ngritjes së pyetjeve”, ka thënë shkurt Xhafa.

Në të vërtetë, instalacioni i tij është e katërta vepër publike e projektit të nismuar nga “Harbabel”, që më parë kishte sjellë veprën “Bukurshkrimi” nga Adrian Paci, “EnoughIsEnough” nga Alban Muja dhe “Zâni” nga Sadik Spahija.

Tepelena: “Zhgënjyes mosreflektimi nga artisti”

Artisti e kuratori Andi Tepelena, i cili është drejtues dhe themelues i organizatës “Art Kontakt”, ka thënë se është zhgënjyese që nuk është konstatuar reflektim nga artisti dhe kuratori.

Në një bisedë për gazetën, ai ka thënë se Xhafa ka qenë i mirinformuar për vendin ku është vendosur vepra e tij.

“Është një artist profesionist, me përvojë të gjatë, që përpara se të vendosë të ekspozojë një vepër apo të realizojë një performancë, mirinformohet për vendndodhjen, krijon një marrëdhënie të fortë me të, mbi bazën e së cilës ndërton një koncept artistik filozofik, që në të shumtën e rasteve përcjell mesazhe sociale, politike e universale bazuar në elemente të realiteteve lokale”, ka thënë Tepelena.

Me këtë rast, artisti që kishte qenë bashkëpunëtor me Xhafën në Pavijonin shqiptar të Bienales së Venecias, më 2005, ka kërkuar që vepra të zhvendoset gjetkë “nga një vend që ka qenë objekt i fortë kontestimi nga opinioni publik, shoqëria civile dhe media”.

LEXO  Edi Rama tani dhe skulptor, hap ekspozitë në Firence

Duke folur për rastet kur konfliktohen veprat artistike me hapësirën publike, Tepelena ka thënë se ka raste kur artistët janë naivë dhe nuk bëjnë një kërkim të thelluar të hapësirës ku ekspozojnë. Por, sipas tij, ky nuk është rasti me Xhafën.

“Sislej, një artist i ndjeshëm ndaj plagëve të shoqërisë, e di fare mirë që arti nuk ka vetëm rol estetik, por edhe etik”, ka thënë drejtuesi i “Art Kontakt” teksa ka kërkuar nga Xhafa që të përgjigjet për hir të vlerësimit që gëzon në qarqet shqiptare e ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

I pyetur nëse komuniteti artistik do të organizohet për të hequr veprën nga vendi i kontestuar, Tepelena është shprehur skeptik nëse do të ketë ndonjë reagim. Ai ka thënë se për aq kohë sa nuk ka një treg arti, ku artistët janë të pavarur nga “kafshata që e servir pushteti”, protestat do të jenë të pakta dhe të vakëta.

“Aleati kryesor i artistëve të pavarur nuk janë vetë artistët, por aktivistët civilë, dhe pak media dhe gazetarë të pavarur, që shkruajnë shqip dhe anglisht, duke i ndërkombëtarizuar çështjet”.

Hoçia: “Intervenimi përcjell arrogancë…”

Edhe artistja dhe kuratorja Blerta Hoçia, që jeton në Prishtinë, ka bashkëndarë të njëjtat shqetësime. Për të, projekti i nismës së komisionimit dhe instalimit të veprave të artit publik ka probleme serioze nga ana e organizatorëve për të kuptuar se çfarë është arti publik dhe kriteret bazë të tij.

“Është e rëndësishme të nënvizohet se në rastin e landfillit të Sharrës nuk kemi të bëjmë me hapësirë publike, por me pronë private”, ka thënë Hoçia të enjten.

Ajo ka thënë se kjo hapësirë është perceptuar si vend i një “krimi të paralajmëruar”, teksa ka përkujtuar që askush nuk është dënuar për vdekjen e të riut 17-vjeçar, madje e njëjta kompani vazhdon të veprojë në këtë landfill.

“Brenda këtij konteksti, intervenimi përcjell arrogancë dhe një qasje të ngjashme pikërisht me atë të cilëve u intereson heshtimi i kësaj çështjeje”, ka theksuar Hoçia.

Duke zënë në gojë vendndodhjen kundërthënëse të instalacionit, ajo ka vlerësuar se vepra jo vetëm që nuk ia del mbanë të komunikojë, por mesazhi artistik bëhet i parëndësishëm, “dhe për më tepër i mvishet një ambiguitet i tillë saqë vepra merr kuptime të ndryshme në varësi të qëllimeve të komentuesve”.

“Hapja e një dialogu apo diskutimi mbi konceptin e veprave dhe ndërveprimi me kontekstin urban do të mundësohej vetëm nëse fillimisht do të mund t’iu jepej përgjigje pyetjeve të ngritura nga komuniteti në lidhje me validitetin konceptual, etik dhe moral të këtij projekti në radhë të parë”, ka thënë Hoçia.

Teksa ka thënë se nuk është në dijeni nëse komuniteti artistik do të reagojë edhe në forma të tjera, ajo ka vlerësuar se një reagim në shkallë të gjerë do të ishte i nevojshëm.

“Veprat e artit publik janë të tilla, sepse i përkasin publikut, dhe vendimet e menaxhimet e këtyre projekteve madhore nuk do të duhej të ishin përgjegjësi e pak personave, të cilët veprojnë në mungesë totale të transparencës në vendimmarrje dhe të financimit, si dhe të një artikulimi serioz konceptual të projektit në tërësinë e tij”, ka theksuar artistja Hoçia.

Nga ekspozitat ndërkombëtare deri te “provokimi” më 2018

“Një bletë po troket në dritare duke me ftuar për çaj te pirgu me bar/ Oh, bletët i thyejnë krejt dritaret/ ziejnë një tenxhere të madhe dhe rehatohen”, janë disa vargje që e kanë brendashkruar tekstin kuratorial të veprës “bleta”.

Ndryshe, Sislej Xhafa, i lindur më 1970 në Pejë, është artist që jeton dhe punon në New York. Njihet për hulumtimet e tij artistike në realitetet shoqërore, ekonomike dhe politike, si dhe ndërlikimet e ndryshme të shoqërisë së sotme.

Në krijimtarinë e tij përfshihen ekspozita të mbajtura në Francë, Itali, Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Holandë e të tjera.

Jo pak reagime kishte shkaktuar edhe ekspozita e tij, e hapur në korrik të vitit 2018, fare pranë Galerisë Kombëtare të Artit në Prishtinë. Në një ahur të improvizuar, ekspozita “Love you without knowing” kishte vendosur tetë lopë. Në një atmosferë kundërthënëse, një grup “Të bashkuar për kafshët” kishte protestuar ndaj asaj që e kishte cilësuar si keqtrajtim i kafshëve.

Xhafa, më 2017, me “E humbur dhe e gjetur” përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia e më 2015 ishte pjesë e grupit që përfaqësoi Italinë.

 

Botuar origjinalisht në platformën mediatike KOHA.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme