Blushi, Parku dhe Piramida e Oligarkëve

Nga Redaksia
Blushi, Parku dhe Piramida e Oligarkëve

Në hartën politike të Shqipërisë egziston një trekëndësh që për Edi Ramën është njësoj si trekëndëshi i famshëm dhe i trishtueshëm i Bermudës, në qendër të të cilit duket se do të mjegullohet avioni i qeverisë së tij, duke zhdukur pa lënë gjurmë Rilindjen, sa të reklamuar aq edhe të pa parë nga qytetarët shqiptarë.

Trekëndëshi i rrezikshëm i Kryeministrit kufizohet nga tre çështje që shpjegojnë atmosferën politike të këtyre ditëve.

Së pari, çështja Blushi—deputet i vjetër i PS-së; drejtues i saj; prej kohe kundërshtar i hapur i sjelljes së Ramës, si në parti, ashtu edhe në qeveri; i vetë kandiduar për kreun e partisë në një garë që nuk është e tillë; i sulmuar si nga Rama ashtu edhe nga lakejtë besnikë të tij.

Blushi e ka vënë partinë përballë testit të legjitimitetit të saj, për shkak të të shkeljeve të statutit. Shkeljet i janë imponuar PS-së në mënyrë arrogante nga Kryetari Rama, falë të cilave ai ka shmangur për vite me rradhë votimin mandatit të tij si kryetar, që është imandat  paligjshëm prej të paktën 3 vjetësh.

Në një parti gjithnjë e më të populluar nga lakej të tij, nuk ka asnjë dyshim se Rama do të arrijë një fitore formale—do të rizgjidhet për një mandat të ri. Por kritikat e hidhura të Blushit kanë hapur disa të çara politike që do të jetë shumë e vështirë për t’i shëruar e që me shumë gjasa do të çojnë në një ndarje faktike në PS. Një ndarje e cila mund t’i kushtojë PS-së në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo që duket e vështirë për t’u kuptuar është se përse Rama është vendosur në një pozicion politik kaq të gabuar dhe qesharak, me aq shumë argumente teknike në favor të kundërshtarëve të tij. Hutim apo arrogancë, çfarë do qoftë, është një premisë jo shumë e lumtur për një politikan që po thyen të gjitha rregullat e brendshme, të cilat i ka kërkuar vetë, duke u shfaqur si diktator në miniaturë brenda partisë.

Çështja e dytë është ajo e Parkut të Liqenit, ku me urdhër të Kryeministrit Rama, dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e procedurat shtetërore, Kryebashkiaku Veliaj po kërkon të ndërtojë një park lojrash shumë të debatuar. Fillimisht, situata u perceptua si çështje mjedisore, por, falë gabimeve të njëpasnjëshme dhe arrogancës së Zotit Veliaj e pasuesve të tij, ajo u shndërrua në një çështje të legjitimitetit dhe arbitraritetit të pushtetit.

Në llogari të fundit, e gjithë procedura e ndjekur nga bashkia për këtë investim është e paligjshme—mungojnë lejet dhe master plani, mungon vlerësimi mbi ndikimin në mjedis, mungon mbikëqyrja teknike, mungon këshillimi me publikun, mungon gjithçka.

Ka vetëm një vullnet të fortë politik për të realizuar këtë park lojrash, në kundërshtim me publikun dhe me ligjin. Por, në gjithë këtë shkelje ligjesh e rregullash mungojnë disa firma—jo të gjitha institucionet e përfshira kanë dashur ta mbajnë këtë përgjegjësi,—në veçanti firmat e ministrave të mjedisit dhe drejtësisë të LSI-së. Ka gjasa që kjo mungesë të mos jetë rastësore, por, pjesë e luftës së ftohtë që zhvillohet prej kohësh mes PS-së dhe LSI-së.

Por, përse është përfshirë Kryeministri Rama në një çështje nga një tjetër çështje, nga e cila mund të ketë vetëm humbje? Përse shfaqet para popullit si një lider që shkel haptazi ligjet? Përse i dhunon procedurat për diçka të parëndësishme, jo urgjente, dhe aspak jetësore?

Për t’i bindur njerëzit që ai është Enver Hoxha i Riu dhe që të gjithë duhet ta kenë frikë? Për t’u përplasur ballë për ballë me murin e ambientalistëve për t’i hapur, kështu, përfundimisht rrugën planit të tij të vjetër për ta shndërruar Parkun e Liqenit në zonë për ndërtime luksoze?

Përse ai përplaset dhunshëm me atë shoqëri civile (edhe pse të mohuar) prej së cilës ai ka ardhur vetë?

Vetëm çështja e tretë është ajo që mund t’i japë një shpjegim të besueshëm dyshimeve për sjelljen politike të Ramës. Asnjë nuk e beson se Rama dhe ndjekësit e tij kanë humbur kthjelltësinë deri në atë pikë sa të përfshihen në situatat e ndërlikuara të mësipërme pa pasur një motiv të fortë.

Motivi është çështja e tretë e trekëndëshit të bermudian ku po humbet Rilindja: çështja e Piramidave Oligarkike—falimentimit, tashmë, të pakontrollueshëm të sistemit ekonomik pseudoprivat, që mban në këmbë dhe që mbahet në këmbë prej sistemit politik klientelist shqiptar.

Pak kohë më parë, ne, të exit.al, shkruam për 35 grupe biznesi, praktikisht, të falimentuara, që nuk kanë mundësi të paguajnë borxhet, në total prej 600 milion eurosh, që i detyrohen sistemit bankar. Kemi shkruajtur, gjithashtu, edhe për një projekt misterioz qeveritar, nëpërmjet të cilit do të shpëtohen nga falimentimi të paktën gjysma e këtyre 35 kompanive.

Mungesa totale e trasparencës mbi këtë çështje, nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, nuk lejon të kuptojmë mirë se çfarë është duke bërë saktësisht qeveria, megjithëse eksperienca të tilla në vende të ngjashme nuk mungojnë dhe, për fat të keq, të gjitha kanë një fund të përbashkët.

Shqipëria e ka edhe vetë një përvojë: falimentimin e firmave piramidale në vitin 1997, i cili u mbyll me një dëm politik, ekonomik e social shumë herë më të madh se dëmi financiar.

Me shumë gjasa, janë kujtimet e kësaj përvoje që zënë vendin kryesor në mendimet e Kryeministrit, i cili gjendet i përfshirë në një lëmsh situatash të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Në fakt, ndër kreditorët kryesorë të falimentuar janë edhe pronarët e mediave, me gjasa përfituesit e fshehtë të bastisjes urbane që po tentohet të legjitimohet në Parkun e Liqenit, përmes ndërtimit fillimisht të një parku lojrash.

Me miopinë e tyre politike, kanë qenë pikërisht ata, që, në kohë të ndryshme, kanë tentuar operacione ndërtimore në të vetmen zonë ku mund të shesësh ende me një fitim të madh, me qëllim për t’ua hedhur bankave që i kanë kredituar apo për të mbyllur ndonjë borxh tjetër.

Por, edhe një llogaritar i thjeshtë e kupton se për të shpëtuar kompanitë e tyre duhet më shumë se një pallat apo një parkim nëntokësor, qofshin këto edhe në vendin më të favorshëm të qytetit.

Prandaj për t’i mbajtur gjallë këto shoqëri të zhytura në borxhe—barka të shpuara financiare—duhen shumë para. Këtë gjë ka marrë përsipër Kryeministri Rama: mbledhjen e fondeve publike duke rritur taksat, dhe pastaj kanalizimin e këtyre fondeve tek kompanitë e falimentuara të klientëve, përmes konçesioneve afatgjata dhe skemave të tjera klienteliste.

Këto skema janë hartuar e po zbatohen prej Zotit Rama pa asnjë konsideratë për varfërinë dhe politikat e domosdoshme sociale që po kërkojnë Blushi dhe shumë socialistë të vjetër; pa asnjë respekt për ligjshmërinë për të cilën po ulëret Blushi dhe qytetarët që kundërshtojnë ndërtimin në Park; dhe, së fundmi, pa asnjë respekt për ato pak burime natyrore që kanë mbetur ende pa u plaçkitur, nga Parku i Liqenit tek plazhet e bregdetit të Jonit.

Emergjenca kryesore, e vërteta, është ajo ekonomike: kompanitë e mbytura në borxhe mund të falimentojnë, sikuse është e mira të ndodhë, por kjo gjë kërkon shkëputjen e Kryeministrit nga varësia që ka ndaj tyre dhe masa të guximshme ekonomike e politike.

Nga mund t’ja nisë Kryeministri? Nga hapja që kërkon Blushi? As që bëhet fjalë. Paratë nevojiten për të shpëtuar mandatet politike. Nga e ligjshmja nuk përfitohet asgjë. Nuk fitohet gjë as nga Parku dhe as nga Partia. Nga Parku përfitohet vetëm në qoftë se ndërtohen pallate të lartë.

Ndërkohë, është më mirë të flitet për Parkun, sesa të lejohet që njerëzit të flasin ose të pyesin për problemet e Piramidave Oligarkike.

Dhe kështu, qeveria është e detyruar të angazhohet në terapi agresive reanimacioni për të mbajtur artificialisht gjallë deri në zgjedhjet e ardhshme klientët e saj që dergjen në agoni, duke u dhënë atyre të drejtën për të plaçkitur duke prerë në Park dhe në financat publike.

Pastaj, kush të rrojë, të rrojë!

 

Artikuj të lidhur:

Goditje 100 pistolëshe ose falimentim i sistemit tonë ekonomik

Volumi i kredive të këqija nuk është ulur. Banka e Shqipërisë fsheh realitetin me propagandë ekonomike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>