Edhe pse Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i vogël i Europës, përsëri ai ka pas vëmendjen e saj, sidomos po ta shohim atë në pikëpamjen gjeopolitike. Një nga shqetesimet kryesore të qeverive përendimore ka qenë dhe vazhdon të mbetet, ndërhyrja ruse, që ka si qëllim jo vetëm influencën e saj në këtë rajon, por me praninë e saj synon dhe të rrisë shqetësimet ndaj Bashkimit Europian.
Jo shumë larg nga ne, në Maqedoninë e Veriut, një personazh që kishte uzurpuar të gjitha pushtetet, por që për hir të së vërtetës, kishte arritur të krijonte një ambient të mirë ekonomik dhe investimesh të huaja, Nikola Gruevski, tërhoqi vëmendjen e shërbimeve sekrete perëndimore, për tendencën e tij, pro ruse. Gruevski, udhëhoqi Maqedoninë e Veriut nga 2006 deri 2016 dhe u rrëzua nga pushteti mbas marrëveshjes se Przhino, negociuar nga BE-ja, duke zhvilluar zgjedhje të parakohshme. Duhet theksuar se ish-kryeministri maqedonas, me grumbullimin e të gjitha pushteteve, korrupsionin e lartë arrinte që të nxirrte fituesë partinë e tij VMRO DPMNE ndaj opozitarëve të Lidhjes Social Demokrate, të Zoran Zaev.
Grumbullimi i pushteteve, korrupsioni, por edhe lënia hapësirë shërbimeve sekrete ruse në Maqedoninë e Veriut, krijuan shqetësimin dhe binden perëndimorët se duhej një përfshirje më e madhe e tyre në vendin e vogël Ballkanik. Shërbimet sekrete përendimore i servirën liderit opozitar Zaev përgjime telefonike mes anëtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe shefit të shërbimit sekret maqedon ku flitej për shkelje të rënda të ligjit, manipulime, korrupsion e shumë gjëra të tjera. Të gjitha këto skandale, u bënë publike nëpërmjet konferencave për shtyp nga selia e Lidhjes Social Demokrate dhe prezantoheshin nga lideri i saj, kryeministri aktual, Zoran Zaev. Si pasojë e kësaj situate, Gruevski, pranoj largimin e tij nga qeveria dhe lënien e drejtimit të vendit një qeverie tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme.
Duket se tani, janë të gjitha shenjat se kemi një situatë të njëjtë, por kjo tashmë nuk është në Maqedoninë e Veriut, por në fqinjin e saj Shqipëri. Kësaj rradhe, nuk iu la në dorë opozitës që të prezantonte përgjimet apo sic i quante Zaevi, “bomba”, por roli kryesor i është gazetës më të madhe në Europë, gjermanes Bild, nëpërmjet gazetarit Peter Tiede. Pavarësisht mjetit, qëllimi është i qartë largimi si në rastin e Gruevskit të një kryeministri autoritar, të korruptuar, por siç duket qartë edhe nën influencën ruse, duke punur kundër interesave përendimore në rajon.