Komisioni Zgjedhor i Britanisë hapi të mërkurën hetim ndaj kryeministrit Boris Johnson mbi rinovimin e apartamentit të tij, raporton Reuters.
Johnson akuzohet se ka thyer ligjin duke lejuar donatorët e partisë të kontribuojnë fshehurazi në rinovimin e shtrenjtë të banesës.
Kryeminsitri britanik këmbënguli në mënyrë të përsëritur se kishte paguar vet koston e rinovimit, por kritikët e tij sërish dyshojnë se ai e ka bërë këtë vetëm pas ekspozimit.
“Jemi të bindur që ka dyshime të arsyeshme për të dyshuar se një vepër ose shkelje mund të ketë ndodhur,” deklaroi Komisioni Zgjedhor për financimin e apartamentit mbi Nr. 11 Downing Street, ku Johnson banon me të fejuarën e tij dhe djalin 11 muajsh.
“Prandaj do të vazhdojmë punën si hetim zyrtar për të vërtetuar nëse është kështu“, shtoi komisioni në përfundim të mbledhjes.
Nëse vërtetohen akuzat, Johnson mund të dënohet me gjobë deri në 20,000 paund, por problemi më i madh është rritja e kritikave që e quajnë të papërshtatshëm për postin.