Të gjithë personave mbi 18 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar do t’u ofrohet doza e parë e vaksinës së koronavirusit deri në fund të korrikut, është zotuar kryeministri Boris Johnson.
Më shumë se 17 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës që prej dhjetorit 2020.
Por Boris Johnson tha se ai tani dëshiron që programi “të shkojë më tej dhe më shpejt”, raporton BBC.
Ai tha se ky objektiv do të ndihmojë për të lehtësuar më tej rregullat e bllokimit në të gjithë vendin.
Zyrtarë të lartë të shëndetit publik në Angli thanë se kishte “shenja të hershme” që vaksina po kontribuonte në rënien e shtrimeve në spital.
Plani i ri parashikon që deri në 15 Prill, të gjithë të rriturit e moshës 50 vjeç e lart, si dhe më të rinjtë me sëmundje që i vendosin ata në rrezik më të lartë, do të kenë marrë një dozë vaksine.