Brexit: fundi i ëndrrës europiane të Shqipërisë?

Nga Ilmi Rehova
Brexit: fundi i ëndrrës europiane të Shqipërisë?

Brexit veç daljes së Mbretërisë së Bashkuar (MB) nga EU me shumë gjasa ka vulosur edhe “daljen” e Shqipërisë pa u futur fare: perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE tashmë është e zymtë dhe përtej çdo të ardhme të parashikueshme.

Goditja e parë e pritshme është ngrirja e mundshme e hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në—prioriteti kryesor dhe i menjëhershëm i vendit— i cili pritej të përmbushej pas pak muajsh.

Është një përfundim i pamëshirshëm i një procesi në të cilin Shqipëria u përfshi në mënyrë të pavullnetshme e të pandershme, duke u kthyer deri diku në simbol të së keqes që duhej shmangur duke dalë nga BE.

Në fakt, në të njejtën situatë si Shqipëria tashmë gjenden edhe gjashtë vendet e tjera që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Turqia, dhe ndoshta edhe Islanda— integrimi i tyre tani është jashtë prioriteteve, të paktën afatshkurtra, të Bashkimit, për të mos thënë se anëtarësimi i tyre do të binte ndesh me interesat e brendëshme aktuale të Bashkimit.

Arsyet që do të ngrijnë integrimin e vendeve joanëtare

Mbas Brexit, BE me gjasa do të përqendrohet në ruajtjen dhe fuqizimin e Bashkimit të tanishëm, me qëllim shmangien e largimit nga BE të ndonjë vendi tjetër. Brexit shprehu qartë atë që nuk pranohej me zë të lartë— zgjerimet e fundit në lindje kanë thelluar hendekun jo vetëm mes vendeve të bllokut, por kanë rritur pakënaqësitë brenda vetë vendeve më të pasura të Bashkimit.

Tashmë ka shumë mundësi që BE të ndërmarrë reforma politike dhe institucionale, të cilat do të kërkojnë vemendje, burime dhe energji. Nuk përjashtohet mundësia i peërplasjeve brenda BE-së për përgjigjen ndaj Brexit: thellim i bashkimit sipas modelit federal, sikurse dëshiron kryesisht boshti Francë-Gjermani; apo decentralizim i shumë funksioneve për çliruar një bashkim, i cili ka shkuar shumë larg në një sërë drejtimesh të panevojshme, sikurse pretendojnë një sërë vendesh kryesisht veri-perendimore. Sido që të ndodhë, vëmendja dhe mbështetja e BE-së ndaj vendeve kandidate apo vendeve të tjera që kanë aspiratë integrimin në BE do të dobësohet dhe ato nuk do të jenë më pjesë e prioriteteve të udhëheqësisë së Komisionit dhe vetë BE-së.

Kjo mungesë vëmendje nga BE mund të ulë interesin apo angazhimin e vendeve aspirante për kryerjen e reformave të nevojshme për t’u përgatitur për anëtarësim, duke çuar kështu në një efekt të dyfishtë negativ. Në mungesë të trysnisë apo të sinjaleve të qarta mbi mundësitë konkrete dhe të afërta për t’u anëtarësuar, vendet kandidate do të çkurajohen e nuk do të ruajnë të njejtin ritëm dhe vullnet për reformat e vështira që duhet të kryejnë, duke zbehur këshgtu edhe me shumë interesin e BE-së për anëtarësimin e tyre.

Por BE ka tani një arsye direkte politike për të qenë pesimiste ndaj zgjerimit të mëtejshëm: emigracionin e brendshëm me origjinë vendet e sapo anëtarësuara. Emigracioni ishte arsyeja e vetme më e rëndësishme për ata që votuan pro daljes së Britanisë nga BE; pakënaqësi e tillë ekziston në shumë vende të tjera dhe ajo mund të nxisë tjetër shkëputje nga BE.

Zgjerimi i BE-së iu dha popullsive të vende të anëtarësuara të drejtën e punës dhe të banimit në çdo vend europian, dhe si rezultat u shoqërua me emigrim të ndjeshëm nga vendet e sapo pranura dhe më të varfra, si Polonia, Rumania, Bullgaria, drejt vendeve anëtare të hershme dhe njëkohësisht më të zhvilluara, si Gjermania, Britania dhe Italia.

Në këto kushte, BE nuk mund të rrezikojë ta zmadhojë këtë problem. Përkundrazi, hapi i parë që ajo duhet të bëjë për të qetësuar pakënaqësitë mes qytetarëve të shumë vendeve anëtare është të garantojë se nuk do të ketë më burime të reja emigrimi duke ndaluar zgjerimin e BE-së në vendet kandidate, të paktën për një periudhë afatmesme.

Nga ana tjetër, kontrolli i emigracionit është shndërruar tashmë në një çështje të nxehtë politike për shumë vende anëtare. Për qeveritë e këtyre vendeve, kufizimi i emigracionit, ndër të tjera përmes ndalimit të zgjerimit, është hap i detyrueshëm për pengimin e fuqizimit të partive apo lëvizjeve populiste që drejtohen kundër emigrantëve, të cilat po bëhen faktorë të rëndësishëm në politikën e brendëshme të këtyre vendeve.

Mbas Brexit shumë nga këto parti do të kenë një motivim më të madh dhe më shumë besim në atë që mund të arrijnë. Arsyeshëm mund të pritet që ato do të shtojnë përpjekjet e tyre për të ndikuar politikat qeveritare nën kërcënimin e referendumeve për daljen nga BE, sipas shembullit Britanik. Si rezultat, edhe partitë më pro hapjes dhe zgjerimit të BE-së mund të jenë të detyruara, për volitshmëri politike, të përqafojnë politika dhe qendrime të kujdesshme ndaj zgjerimit.

Së fundmi, largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE do të ketë ndikim në buxhetin e BE-së, duke qenë se MB është një ndër vetëm pesë vendet kontribuese neto në buxhetin e BE-së, së bashku me Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Hollandën—në vitin 2015 MB pagoi rreth 13 miliardë pound në buxhetin e BE-së, ndërkohë që përfitimet e saj për të njëjtin vit nga ky buxhet ishin rreth 4,5 miliardë paund, pra MB kontribuoi me rreth 8,5 miliardë pound neto në buxhetin e BE-së. Kontributi i munguar britanik mund të çojë në zvogëlimin e mbështetjes financiare për vendet joanëtare duke dobësuar përpjekjet e tyre integruese.

Gjendja e prespektivës integruese e vendeve joanëtare

Aktualisht janë pesë vende që kanë statusin e kandidatit: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, dhe Turqia. Tre prej tyre—Mali i Zi, Serbia dhe Turqia—janë duke zhvilluar negociata për anëtarësim. Shqipëria dhe Maqedonia kanë statusin e kandidatit por nuk kanë filluar ende negociatat për anëtarësim. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova kanë marrëveshje të Stabilizim Asociimit me BE-në—BeH ka aplikuar për statusin kandidat, ndërsa Kosova jo, pasi marrëveshja e saj e asociimit nuk është ratifikuar ende nga të gjitha vendet anëtare.

Një tjetër vend, Islanda ka statusin e kandidatit por ka vendosur vetë të mos kërkojë më anëtarësim në BE.

Komisioni aktual i BE-së, drejtuar nga Presidenti Juncker, vendosi që në fillim se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë asnjë pranim të ri, pra nuk do të kishte anëtarësime të reja para vitit 2020. Para Brexit mendohej se në periudhën 2020-25 do të mund të pranoheshin në BE Serbia dhe Mali i Zi, gjithmonë nëse këto vende do të përshpejtonin reformat e tyre integruese.

Turqia është konsideruar përherë një rast i veçantë, pasi ajo ka më shumë se një dekadë që është përfshirë në bisedimet e pranimit, të cilat nuk zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme dhe përparimi ka qenë shumë i ngadaltë. Anëtarësimi i Turqisë ka patur kundërshtarë të shumtë brenda BE-së dhe mundësia e saj për t’u anëtarësuar ka qenë konsideruar e vogël. Në fakt, shume kanë menduar se negociatat e BE-së për anëtarësimin e Turqinë më shumë se anëtarësimin e saj kanë synuar ruajtjen e orientimit pro demokratik dhe pro europian të Turqisë, përmes presionit dhe joshjes.

Integrimi i Maqedonisë përveçse përgatitjen e vendit ka hasur përherë problemin e mosmarrëveshjes e saj me Greqinë për emrin. Vitet e fundit rrëshqitur e qeverisjes në autoritarizëm ka ulur gjasat e hapjes së negociatave për anëtarësim me të, në të ardhmen e afërt.

Shqipëria konsiderohet për nga niveli i saj politik dhe ekonomik si më e papërgatitura për t’u anëtarësuar në BE nga vendet e mësipërme. Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë mendohej përtej vitit 2025, përjashto rastin kur vendi mund të përshpejtonte në mënyrë të papritur jo vetëm reformat integruese por në përgjithësi gjendjen e zhvillimit demokratik dhe ekonomik.

Dhënia e statusit kandidat Bosnjes e Hercegovinës dhe Kosovës ka qenë konsideruar e largët, për shkak se këto vende konsiderohen larg nivelit të pranueshëm për këtë status, edhe pse Bosnjës i është njohur statusi i vendit “potencial për kandidat”.

Pas Brexit perspektivën e anëtarësimit të të gjithë këtyre vendeve, përfshi të Shqipërisë, duket edhe më e largët nga parashikimet e mësipërme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>