BREXIT – përçapja e Rusisë në Europë

Nga Fiton Dibrani
BREXIT – përçapja e Rusisë në Europë

Bashkimi Europian është rrjedhojë e Luftës së Dytë Botërore. U desh humbja e 60 milionë jetëve që europianëve t’u bëhej e qartë se duhet të bashkoheshin, megjithë mosafrinë që mund të ndjenin me tjetrin. Sot ai paraqet një konstrukt të fuqishëm, në të gjitha dimensionet, sidomos në atë ekonomik. Ndaj kundërshtarët (lexo: mosduruesit) nuk mungojnë. Për një arsye të thjeshtë: e duan për vete atë fuqi – për t’i sunduar, jo vetëm të vrerosurit me Unionin, me dhe pa arsye, por të gjithë bashkë. Europianët kanë filluar të harrojnë makthin që i bëri grusht. Veç duhet kenw nw mendje se herës tjetër, çeku i përkujtimit do të jetë më shumëshifror.

Në shtratin e vdekjes, 33 vjet para Krishtit, Filipi i Maqedonisë i thotë të birit, Aleksandrit: “Biri im, gjej një mbretëri tjetër, të mjaftueshme për shtatin tënd, Maqedonia është shumë e vogël për ty”. Kështu na e sjell historia të fundit porosi atërore të mbretit që po ikte nga kjo botë. Fare lehtë, këto fjalë mund të mos jenë thënë kurrë, dhe ky dialog mund të mos ketë qenë i fundit, paçka se secilit shkollar, në një mënyrë a tjetër, i është kërkuar t’i mbajë në mend.

Historia e mbetur na tregon se Aleksandri vërtet do të bëhej një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohërave. Por ajo që përmendet kalimthi, gati-gati në mënyrë moskokëçarëse, është maksima e famshme e të atit: Përçaj dhe Sundo – të cilën Aleksandri do ta mjetëzonte në rrugën e tij drejt lavidsë sipërane. Një dialog tjetër, që mund të shpjegojë dhe jo të vërtetojë sukseset e mbretit të ri. Ai u hesht, siç heshten shpeshherë disa krime morale. Ndërsa profecia, që më shumë se e dalë nga goja e të atit mund të ishte pjellë e vonë, e stisur për t’u dukur e atillë, e mbretëroi diskutimin për të. Maksima u dënua me lënie në heshtje, si bijë bastarde. Historia s’është qortuar kurrë për këtë lëshim, thënë më së buti.

Por të kthehemi tek formula, pra tek përçarja dhe sundimi, pasi për to kemi përherë dëshirë të flasim. Ideja e përçarjes s’është aspak e re. Ajo gjenon në bashkimin e parë, njëlloj si dera e parë e mbyllur ka pjellur idenë e kusarisë dhe letra e parë e shkruar atë të falsifikimit.

Në Librin e Gjashtë të Artit të Luftës, Makiaveli përshkruan situatën kur komandanti, pra prijësi, përpiqet të dobësojë kundërshtarin, ose duke rritur dyshimin brenda anëtarëve të tij, ose duke i dhënë ndonjë arsye tjetër për të ndarë tërësinë, pra forcën, dhe kështu, e dobëson atë mjaftueshëm për ta mundur(lexo: sunduar).

Një nga etërit e filozofisë moderne po ashtu e përmend rolin që luan përçarja në arritjen e qëllimeve. Në librin e tij, Mbi paqen e përhershme: Skicë filozofike, Immanuel Kant, e pëshkruan Divide et Impera si një nga tri maksimat politike – dy të tjerat janë: Fac et excusa(vepro tani, arsyeto më vonë) dhe Si fecisti, nega(kryej krimin, mohoje më pas).

Si e tillë ajo është stërpërdorur, në maska të ndryshme, nga të ndryshëm sundues, pothuaj pëgjatë gjithë rrugëtimit të gjinisë njerëzore.

Duke qenë e njohur gati për të gjithë, paradoksalisht përdorimi i saj në makrosisteme vështirë diktohet. Ka njëlloj perdeje gjithmonë mes njerëzve dhe procesit të zhvillimit të saj, deri në momentin kur perdja hiqet, dhe mu si në reprizën e shfaqjes kulmon habia. Dhe mu si për të, ata kanë qenë të vetëdijshëm për ekzistencën, kanë diskutuar e janë zhytur ndoshta në kundërshti, por s’e kanë kuptuar kurrë një gjë: si të mos habiten më me të.

Të enjten e datës 14 të prillit në Britani të Madhe filloi zyrtarisht fushata “për dhe kundër daljes nga Bashkimi Europian”. E këtillë ajo do të vazhdojë deri në qershor, kur ishulli do të votojë për të vazhduar bashkë ose për t’u ndarë nga pjesa tjetër, nga gadishulli, pra nga tërësia. Dy muaj më pas, të enjten e katërt të këtij muaji, Unioni riskanohet. Është kjo ndër ngjarjet më dramatike në kontitentin e vjetër tash e një kohë. Trazimi që ka shkaktuar ideja është i madh sepse kurrë më parë, paqartësia, turbullira, për të mos thënë rreziku kontinenit s’i ka ardhur nga ishulli i mjegullt, me të cilin ndarjen hyjnore me ujëra e ka shembur dora njerëzore. Si i tillë, ky kundërkah mund t’i trand themelet e bashkësisë europiane të kombeve.

Flitet me nënqeshje për këtë konstrukt, të cilin meskiniteti i atyre që janë jashtë idesë së të qenit europian nuk e kap dot. Sepse nuk e kuptojnë dot idenë europiane, përkatësinë, ndoshta ngaqë s’janë ndjerë të tillë, kurrë. Dhe s’e kanë fshehur këtë gjë. Janë vetquajtur të tillë – joeuropianë – madje. Në poemën e tij të famshme “Skithët”, Aleksandër Blloku, shkrimtar rus, në vitet 20 shpallte: “Da skifi my, Da aziati my” (Po, skithë ne jemi, po aziatikë jemi). Këtu hyn në ekuacion një nga ngrehat makabre, të cilën qeniet njerëzore kanë përsosur me kalimin e kohës: mospërkatësia shndërrohet në mosdurim.

Ka një pyetje që shtrohet kudo: a kanë të drejtë britanikët të jenë të pakënaqur me BE-në? (Normalisht, si edhe të gjithë europianët tjerë, por kjo nuk është aspak çështja.) Në vetvete dilema është e gabuar, ose e maskuar si e tillë, në ç’rast fsheh parallogaritje. Pyetja e duhur, dilema, do të duhej të ishte: kush përfiton nga largimi i Britanisë nga bashkësia e kombeve? Vet ata apo Europa, pa ta? Dhe përgjigja e saktë do të ishte: as njëra, as tjetra. Duket sikur të dy palët janë të lodhura nga njëra-tjetra. Europa nga ishulli krenar dhe ai nga burokracia që ajo, për shkak të shtatit, e ka pasur gjithmonë. Gjendje të këtilla s’pjellin veç zezona. Forcimi i eskstremit të djathë përgjatë gjithë kontinentit, për shembull, që është paralajmëruar si rrezik i mundshëm edhe nga ish ministri i Financave të Greqisë, Janis Varufakis.

Tani ta qëmtojmë idenë e humbjes, paçka se për të rrallë duam të flasim. Si mund të ndodh që të humbin ata që kërkojnë vet këtë gjë? Si mund të humbin të dy “palët”? Dhe, kush del i fituar?

Përgjigja e pyetjes së parë sqaron, në një formë, dy të tjerat. Në historinë njerëzore kjo nuk do të ishte aspak e para herë që njerëzit të kërkojnë diçka për të zezë të kokës së tyre. Por kur kjo mbillet brenda trurëve dhe ujitet vazhdimisht, për t’u rritur e lulëzuar, atëherë sistemi bëhet më kërcënues.

Si në secilën çështje ka dy kampe. Në këtë rast, ata që mundohen ta thajnë, formojnë njërin, ndërsa të tjerët që e ujisin këtë ide, tjetrin. Në të parin janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha qeveritë e shteteve europiane. Në kampin tjetër, Rusia e Vladimir Putin, djathistët ekstremë të Marine Le Penn, radikalët, populistët, ksenofobët dhe një grusht anarkistësh. Duket sikur ka ndodhur një prishje në themel dhe pikërisht ato janë më të vështirat për t’u ndrequr. Sepse ndryshe nuk mund të sqarohen “palët” në këtë rast. Europianët që kërkojnë largimin e Britanisë dhe shpërbërjen e Unionit e shohin veten si palë në raport me ata – europianët tjerë – që e kundërshtojnë këtë gjë. Në fakt ne, europianët, jemi njëra palë. Tjetra dihet kush është.

Humbja, në rast të daljes të krenarëve nga Unioni, do të jetë e dyanshme. Një projeksion i realizuar nga London School of Economics përfundon që trandja që do të pësonte ekonomia britanike do të ishte e ngjashme me atë të Recesionit të Madh të vitit 2008, kur të papunë mbetën mbi 2.5 milionë britanikë. Unioni është partneri më i madh tregtar i Britanisë – 50 për qind e eksporteve britanike shkojnë në BE – dhe largimi i mundshëm do t’i dëmtonte rëndë prodhuesit vendas. Në skenarin më optimist, Britania do të ruante raportet ekonomike me Europën unike në stilin norvegjezo-zviceran, duke ruajtur shkëmbimin tregtar, por humbur të drejtën e zërit në vendime. Po ashtu, nw kontekst të Investimeve të Huaja Direkte, vet referendumi, pa marrë parasysh rezultatin, pritet të shkaktojë(në një formë tashmë e ka bërë këtë gjë; priten raportet në fund të gjashtë-mujorit) rënie të tyre, për shkak të tolerancës së ulët në paqartësi, tek secili investitor. Dalja do të reflektohej edhe në rrafshin e dijeve të veçanta(know-how), për shkak të politikave të migracionit.

Por, deri këtu, goditja ekonomike, në të dy kahet, mbetet përgjithësisht e tensionit të ulët. Ka diçka të përtejtë, që i kalon këto dimensione, në përmasa. Unioni është duke negociuar marrëveshje të tregëtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të bashkëpunimit ekonomik me Japoninë. SHBA-ja është partneri kryesor ekonomik i tij, ndërsa Japonia paraqet mundësi të mirë të krijimit të një ure të fuqishme me Azinë. Dhe Rusia s’e lejon dot këtë izolim. Në mendjen e autokratëve të Kremlinit ajo është tepër e madhe për të mbetur në qoshe të gjithçkaje. Një disfatë e këtyre përmasave, një hermetizëm gati përfundimtar – në bindjen e tyre – do të ishte fatal.

Nga ana tjetër, Unioni do të mbetej pa kryeqytetin financiar, Londrën. Politika monetare dhe financiare europiane do të pësonte shok. Projektohet një zhvlerësim prej 15 për qind i funtës. Por jo të paktë janë ata që e quajnë iluzion matematik këtë shifër. Ekziston, megjithatë, një e vërtetë e padiskutuehme, që qëndron mes palëve dhe një kakofonie çoroditëse që qarkon diskutimin. Ekonomia britanike është, për nga volumi, jo larg asaj të gjigantit jodemokratik në kufinjtë lindor të kontinentit dhe largimi i saj nga Unioni do të ishte një gur i rëndësishëm në kalanë e kontrollit të projektuar të Vladimir Putin dhe vazalëve e tij.

Rrjedhimisht, nga ky kundërkah do të kishte një krah fituesish: Rusia, bashkë me satelitët e saj dhe mosduruesit e kudondodhur. Duke mos e ndjerë veten pjesë të saj, të Europës, ajo ndjen nevojën për ta dirigjuar. Por për ta bërë këtë gjë, ajo duhet ta ndajë, ngaqë ndryshe s’e realizon dot këtë fetish. Shteti i oligarkëve nuk e ka fshehur kurrë dëshirën që Britania të largohet nga Unioni – si pjesë e fushatës për të përkrahur lëvizjet radikale – përçarëse – nëpër Europë. Më 2014, kur skocezët po e shqyrtonin mundësinë e mëvetësisë, mediet anglishtfolëse të Kremlinit u dhanë hapësirë të jashtëzakonshme nacionalistëve. Rusia po ashtu ka ndezur zjarre nacionaliste edhe në Kataloni të Spanjës dhe Venetto të Italisë. Tani do largimin e Britinisë. Dhe në funksion ka vënë patericën mediatike. Përkrahësve të daljes së britanikëve nga Unioni u është dhënë hapësirë pothuaj e pakufizuar, në të kufizuarën liri mediesh atje. Për shembull, në një javë, Sputnik ka publikuar 14 storie me temë Brexit-in, nga të cilat, tetë në frymën pro daljes, pesë përgjithësisht faktike dhe një kundër. Si Sputnik, ashtu edhe Russia Today kanë qenë jashtëzakonisht të anshëm në raportimet e tyre. Por për medie që financohen nga Kremlini, kjo s’mund të jetë veçse e normale.

Nacionalistët europianë mund të mos e kenë këtë muzikë funebre në veshë, por qëllimi i tyre është i ngjashëm. Duke imagjinuar një botë ku gjërat funksionojnë vetvetiu, ata duan të besojnë se paqja dhe përparimi në Europë mund të merren për të mirëqena, ndaj shkatërrimi i Unionit s’i bën gjë.

Më 23 qershor, deri tek kutitë e votimit, mbi supet e tyre, britanikët – deshën apo jo – do ta bartin peshën e Europës. Do t’u vijë e rëndë, padyshim, do të mundohen ta shkundin me nervozën që ua shkakton dilema e madhe që kanë brenda vetes, por nuk do ta shqisin dot, sepse fatet e tyre në këtë rast janë të lidhura pashmangshëm me atë të Unionit. Rrallëherë popujt kanë qenë para kryqeve të këtilla. Pesha e zgjedhjes në kryq është shumë më e madhe se vet ata, sepse godet edhe miliona jetë ende të pajetuara. Fund-qershori do të tregojë nëse e kanë kuptuar këtë gjë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>