Autoritetet britanike gjetën sot në kontenierin e një kamioni 39 të vdekur. Kamioni qe ndaluar në një zonë industriale rreth 40 kilometra në lindje të Londrës. Dyshimet e para janë se personat, 38 të rritur dhe një adoleshent, po trafikoheshin, por ende nuk dihet identiteti dhe shkaku i vdekjes.
Policia u njoftua nga infermierët e një ambulance, të cilët ishin thirrur në vendngjarje rreth 2 orë pas mesnate. Kamioni kishte hyrë në Britani të Madhe më 19 tetor përmes portit Holyhead të Uellsit. Autoritetet kanë arrestuar drejtuesin e kamionit, një irlandez 25-vjeçar, i cili kishte patur pikënisjen nga Bullgaria.
Ngjarja ka trazuar opinionin publik. Kryeministri Boris Johnson u shpreh me keqardhje për çka kishte ndodhur dhe garantoi angazhim maksimal nga autoritetet. Deputetja Jackie Doyle-Price ishte më direkte me një postim të sajin në Twitter. Ajo tha se “trafikimi i njerëzve është biznes i ndyrë dhe i rrezikshëm”.
BBC kujtoi rastin e vitit 2000 kur 58 emigrantë kinezë u asfiksuan për vdekje teksa po trafikoheshin në kontenierin e një kamioni në Dover, rreth 145 kilometra në juglindje të Londrës.
Për të ndihmuar në identifikimin e personave autoritetet kanë vënë në dispozicion numrat e telefonit: 0800 056 0944 (për brenda Britanisë) dhe (+44) 0207 158 0010 (për jashtë Britanisë).