Grupet parlamentare të partisë së kancelares Merkel CDU/CSU dhe partisë SPD i kërkuan sot bundestagut gjerman të votojë pro hapjes së negociatave pa kushte me Maqedoninë e Veriut në tetor.
Duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes së Prespës dhe reformat e bëra nga Maqedonia, deputetët gjermanë kanë hartuar një draft-rezolutë ku shprehen se hapja e negociatave për Maqedoninë është e merituar dhe do të sigurojë vazhdimin e reformave në vend.
Në draft-rezolutën dorëzuar bundestagut, shkruhet:
“Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e BE-së për Republikën e Maqedonisë Veriore dhe vlerëson përpjekjet e vendit për reforma.
Që nga vera e vitit 2018, janë bërë përpjekje të mëtejshme për zbatimin e reformave urgjente, të ndjekura nga hartimi i politikave dhe ligjeve.
Përveç reformave në gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformës së shërbimeve të inteligjencës dhe administratës publike, kultura e kompromisit në peizazhin politik është përmirësuar gjithashtu, në veçanti ka një përfshirje më të mirë të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse politike.
Procesi i anëtarësimit është një shtytës vendimtar për reformat dhe stabilitetin në rajon.”
Deputetët gjermanë theksojnë se pas hapjes së negociatave duhet siguruar që reformat në Maqedoni të vazhdojnë dhe se hapja dhe mbyllja e kapitujve të anëtarësimit duhet të bëhet në bazë të meritokracisë dhe punës së vendit për të plotësuar kriteret e BE-së.
Një ditë më parë, deputetët e CDU/CSU-së vendosën t’i hapin rrugën qeverisë gjermane të votojë pro hapjes së negociatave me kushte me Shqipërinë.
Këto dy projekt-rezoluta për Shqipërinë dhe Maqedoninë janë hartuar me konsensus mes dy grupeve kryesore parlamentare të CDU/CSU-së dhe SPD-së, dhe pritet të miratohet me shumicë nga Bundestagu.