Zëvendës kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann Wadephul deklaroi se parlamenti duhet të miratojë Reformën Zgjedhore sipas marrëveshjes së rënë dakort me 5 qershor.
Në një reagim pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, Wadephul pohoi se nëse parlamenti miraton këto ndryshime, kjo do të ishte shkelje serioze e marrëveshjes së 5 qershorit dhe do të minonte të gjithë reformën duke theksuar se parlamenti gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare.
“Tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve.
Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.
Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë
Parlamenti gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.”
Wadephul shtoi se miratimi i ndryshimeve do të vendoste në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do ta vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashimin Europian”
Ai i bëri thirrje parlamentit shqiptar të tërhiqet nga ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Komisioni i Ligjeve të martën.