Burravecët

Burravecët

Dhjetori erdhi. Ata u mblodhën përsëri të festojnë ditëlindjen e partisë. Njësoj siç festohej dikur në regjimin që u desh të rrëzohej që të lindte partia që ka ditëlindjen. Për ta, njësoj si atëhere, themelimi i partisë është ngjarja më e madhe në historinë e popullit që nga dita e pavarësisë.

Ja në skenë, njëri pas tjetrit, ngjiten heronjtë e luftës dhe të punës. Fjalimet e tyre janë plot me superlativa, sikurse janë arritjet e tyre. Ata tregojnë heroizmat e tyre epike për të lindur partinë dhe sakrificat që u desh të bënin për ta fuqizuar atë. Me rradhë, tregojnë se si vendosën të ngriheshin kundër të keqes në emër të lirisë. Se si nuk i ndali dot as dhuna, as presioni, as kurthet kundër tyre. Tregojnë se edhe pse rreziqet qenë të pranishme kudo e çdo çast, ata nuk i trembi asgjë, sepse ata kishin vendosur të jepnin edhe jetën për atdhe dhe demokraci.

Ata vazhdojnë të tregojnë se misioni i tyre çlirimtar nuk mbaroi edhe kur erdhën (shumë shpejt) në pushtet. Koha ju kërkoi atyre sakrifica të tjera, heroizma të tjera. Për rindërtimin e atdheut, për ndërtimin e demokracisë, për përparimin e vendit, për evropianizimin e popullit të prapambetur.

Ndërsa ata flasin me krenari e vetëlëvdim të ligjshëm në podium, mbi fytyrat e tyre derdhen drita shumëngjyrëshe prozhektorësh dhe gjarpërojnë në ajër kamera që përpiqen të kapin nga çdo kënd i mundshëm portretet e këtyre luftëtarëve të paepur për liri, drejtësi, atdhe e ideale.

Salla është e mbushur plot me njerëz që i adhurojnë. Që i brohorasin. Që janë gati të japin jetën nën udhëheqjen e tyre. Në sallë ka edhe shumë të rinj që duan të ecin nën gjurmët e tyre dhe që i luten Zotit t’ju japë edhe atyre një mundësi për të sakrifikuar edhe ata për liri. Për demokraci. Për atdhe.

Në fund, të gjithë bashkë kërkojnë me zë të lartë largimin e qeverisë. Që të vinë ata në pushtet. Përsëri. Sepse vetëm ata mund ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa.

Përbetohen se e duan pushtetin për të mirën e vendit, për t’u sakrifikuar sërish për Liri e Demokraci, për Shqipëri europiane.

Mbas këtij momenti kulmor festa mbaron.

Jashtë salle ata i presin makinat e tyre luksoze, për t’i çuar në vilat e tyre luksoze. Ikin të qetë. Sepse askush në atë sallë nuk i pyeti: si shpjegohet që megjithë mundin e sakrificat e tyre të mëdha për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, Shqipëria ka mbetur Afrikë ndërsa vetëm vilat e tyre janë bërë edhe më të mira se (pothuajse) e gjithë Europa?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>