Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati deklaroi të hënën se Shqipëria ka luajtur rol në afrimin e Greqisë me Maqedoninë e Veriut.
Në një intervistë në “News 24” teksa foli për zhvillimet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe zgjerimin e saj me 12 milje, ai u shpreh se Greqia ka pasur çështje të rënda për diskutim.
Bushati deklaroi gjatë intervistës:
“Greqia kishte dy patate të nxehta në dorë, mund ta themi në mënyrë figurative. Shqipëria luajti rol në afrimin e Athinës me Shkupin. Kjo ndodh, sepse shqiptarët janë komb shtet-formues në Maqedoninë e Veriut. Çështjet me rëndësi për ne janë diskutuar”.
Sa i përket çështjes së detit ai tha se do të ketë një zgjidhje. Kjo sipas Bushatit pasi po diskutohet në nivel kryeministrash.
Bushati u shpreh:
“Procesi ka shkuar në nivel kryeministri dhe ka vullnet politik për të çuar çështjen përpara. Rama, Tsipras, Samaras kanë qenë në dijeni të çdo hapi që bëhej në proces. Janë shtuar bisedat sy më sy, e kjo besoj do dërgojë drejt zgjidhjeve”.
Pak ditë më parë, qeveria greke dorëzoi në parlament projektligjin për zgjerimin e kufirit perëndimor të ujërave të saj territoriale në Detin Jon në 12 milje detare.
Projektligji parashikon zgjerimin në ujërat perëndimorë nga gjashtë që është aktualisht në 12 milje detare. Kjo nuk do të ndikojë në ujërat në Egje, pranë brigjeve jugore dhe lindore të Greqisë, ku Athina ka mosmarrëveshje me Turqinë.