Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, një prej anëtarëve të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, deklaroi se Partia Demokratike është e gatshme të hyjë në zgjedhje të parakohshme në çdo moment.
Duke folur në emisionin ‘Tempora’ me gazetaren Sonila Meço, Zoti Bylykbashi tha se menjëherë pas përfundimit të reformës zgjedhore, i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja mënyrë për të testuar reformën:
“Mbyllet ky proces reforme, ikën çështja e reformës zgjedhore si një nga kushtet dhe hapet shtegu për zgjedhje të parakohshme, menjëherë pas kësaj hapet ky shteg. Nuk ka zgjidhje tjetër, jo vetëm për krizën në Shqipëri, por edhe Bundestagu këtë thotë: Testoni reformën.”
Më tej Zoti Bylykbashi shtoi se hartimi i një reforme zgjedhore jashtë parlamentit jolegjitim dhe me konsensus mes palëve ishte një nga kërkesat kryesore të opozitës, dhe tashmë, më arritjen e marrëveshjes opozitë-qeveri për reformën, kjo kërkesë është plotësuar.