Instituti i Shëndetit Publik i ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht ata që nuk janë vaksinuar, që të marrin masa paraprake kundër gripit që po qarkullon javët e fundit.
Deri tani, çdo javë ka pasur rreth 11 mijë qytetarë që i janë drejtuar spitaleve, të prekur nga gripi AH1N1 dhe virusi B1 që po qarkullon në vend dhe në pjesën më të madhe të Europës.
Eksperti i Institutit Publik Artan Simaku sqaroi se simptomat e gripit janë temperaturë, dhimbje fyti dhe kollë. Ai tha se qytetarët duhet t’i drejtohen mjekut të familjes nëse vënë re se kanë këto simptoma, por jo domosdoshmërisht duhet të shkojnë menjëherë në spital.
Ata që preken më së shumti janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna, e për këtë, duhet të kenë kujdes të shtuar me higjenën.
Piku i epidemisë së gripit pritet të shfaqet në muajin shkurt, ndaj këshillohet që gjatë gjithë kësaj kohe të tregohet kujdes i veçantë me higjenën personale, të shmangen ambientet e mbipopulluara dhe të ajrosen vazhdimisht ambientet e banimit.
Ndërkohë për ata qytetarë të interesuar për tu vaksinuar, vaksina e gripit gjendet në qendrat shëndetësore dhe spitale ose mund të blihet për rreth 1600 lekë në farmaci. Megjithëse vaksinimi nuk siguron mbrojtje 100 për qind nga gripi, në rast gripi ju zë pasi jeni vaksinuar, simptomat e tij janë më të lehta.
Sipas njfotimeve të Zyrës së Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore , rreth 1,213 qytetarë të prekur nga tërmeti, të cilët po jetojnë në çadra e kontenierë janë vaksinuar me vaksinën antigrip në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë.