![ceki Çekia rivendos karantinën e detyrueshme në gjithë vendin](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/10/ceki.jpeg)
Republika Çeke ka rivendosur karantinën e detyrueshme në të gjithë vendin, duke u bërë vendi i dytë në Europë që rikthen të njëjtat masa kufizuese si në mars.
Vendimi erdhi pas rritjes së të infektuarve me koronavirus.
Kryeministri Andrej Babis deklaroi se i vjen shumë keq për marrjen e kësaj mase, por theksoi se nëse ato nuk do të merreshin “sistemi ynë shëndetësor do të shembej midis 7-11 nëntorit”.
Masat përfshijnë kufizime në lëvizjen e qytetarëve dhe mbylljen e dyqaneve, qendrave tregtare dhe hoteleve. Ata do të jenë në fuqi të paktën më 3 nëntor.
Republika Çeke fillimisht dha një shembull pozitiv me reagimin e saj efektiv dhe të shpejtë në valën e parë të pandemisë, por nuk arriti të mësonte nga përvojat e mëvonshme të vendeve të tjera dhe tani po përballet me pasojat.
Pak ditë më parë, Irlanda u bë vendi i parë në Europë që riktheu karantinën totale.