Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur, të mërkurën, mbi përgatitjen e zgjedhjeve të prillit, përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje dhe mundësimin e votës së emigrantëve.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Celibashi tha se buxheti i KQZ-së ka parashikuar 4 milionë euro për kamerat e sigurisë, të cilat do të vendosen në çdo qendër votimi.
“Kemi bërë një vlerësim të përafërt që shkon rreth 4 milionë euro i gjithë procesi i monitorimit për kamera”, u shpreh Celibashi.
Sa i takon identifikimit biometrik, Celibashi tha se “me një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë faktorët që lidhen me këtë proces ta realizojmë me sukses edhe këtë”.
Ai tha edhe detaje mbi numërimin e votave në zgjedhje. Celibashi tha se është një projekt shumë i vështirë, që përfshin shumë elementë në realizimin e tij.
Pyetur për votën e diasporës, Celibashi sqaroi se ata që janë në listën e zgjedhësve dhe mund të vijnë të votojnë në Shqipëri, por ideja është që ata të votojnë atje ku janë.
Më tej ai tha:
“Gjatë këtij muaji do të plotësohet edhe me aspektet e tjera se si do të votohet dhe si do pajisen me fletën e votimit. Sa i përket se ku do llogaritet kjo votë, këtë e ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Ata do të përfshihen në zonën zgjedhore ku kanë regjistrin e gjendjes civile.”
I pyetur në lidhje me vullnetin politik në zgjedhjet e ardhme më 25 prill, Celibashi tha se situata politike në Shqipëri mund të krahasohet me atë të 97-ës:
“Situata politike është shumë e acaruar […]. Duket që konfliktualiteti politik është gati i krahasueshëm me atë të vitit ‘97. Nuk është një gjë e mirë për hir të së vërtetës.
Por, në raport me përgatitjen e zgjedhjeve, qasja e të gjitha palëve është shumë pozitive. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me të gjithë faktorin politik sa i përket përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme.”