Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka shtuar një variant tjetër të koronavirusit në listën e saj për t’u monitoruar. Quhet varianti mu dhe është përcaktuar si variant me interes (VOI). Kjo do të thotë se mu ka dallime gjenetike me variantet e tjera të njohura dhe po shkakton infeksione në shumë vende e mund të paraqesë kërcënim të veçantë për shëndetin publik.
Është e mundur që ndryshimet gjenetike mund ta bëjnë variantin mu më të transmetueshëm, të shkaktojë sëmundje më të rënda dhe më të aftë për t’i shpëtuar mbrojtjes së vaksinave ose apo përgjigjes imune. Është po aq e mundur që asnjë nga këto të mos qëndrojnë, pasi ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të dalë në përfundime ezauruese.
Në fjalorin e OBSH-së, një varianti interesi (VOI) nuk është një variant shqetësues (VOC), i cili është vërtetuar se zotëron një ose disa nga karakteristikat më sipër.
Deri tani, sipas OBSH-së ka shenja se varianti mu është në gjendje të kapërcejë mbrojtjen ekzistuese të vaksinave.
Ku po përhapet?
Mu u identifikua për herë të parë në Kolumbi në janar 2021, kur iu dha përcaktimi B1621. Që atëherë është zbuluar në 40 vende, por mendohet se aktualisht është përgjegjës për vetëm 0.1% të infeksioneve në nivel global.
Mu ka qenë shumë më i përhapur në Kolumbi se kudo tjetër, me rreth 39% të rasteve, ndjekur nga Kili me pothuajse të njëjtin rezulat, përkundër 13% të rasteve që janë identifikuar në Ekuador, teksa vazhdon të transmetohet në vendet e tjera të Amerikës së Jugut.
Deri më tani, 45 raste janë identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar përmes analizave gjenetike, por përhapja e vërtetë mendohet të jetë më e lartë.
Çfarë ndodh më pas?
Mu është varianti i parë i ri që i shtohet listës së OBSH -së që nga qershori.
Kur një variant përcaktohet me interes, OBSH kryen një analizë krahasuese të karakteristikave të variantit të ri, duke vlerësuar se si krahasohet me të tjerat që gjithashtu po monitorohen. Ajo u kërkon shteteve anëtare të mbledhin informacion mbi incidencën dhe efektet e variantit.
Varianti shumë ngjitës Delta tregoi se sa shpejt dhe në mënyrë të konsiderueshme variantet virale mund të ndryshojnë rrjedhën e pandemisë.