Disa grupe po punojnë për furnizuar me doza vaksinash vendet e varfra, por janë shumë larg asaj që nevojitet për të frenuar shpërthimin e pandemisë në të gjithë botën.
Një ndër përpjekjet më të mëdha është COVAX, instrumenti që mbështetet tek dhurimet nga vendet e pasura dhe financuesit privatë. COVAX nuk i arriti objektivat që kishte vendosur për shpërndarjen e vaksinave kryesisht sepse nuk kishte burime për të siguruar furnizimet e vaksinave në fillim të pandemisë.
Deri tani COVAX ka shpërndarë rreth 207 milion doza në 138 vende dhe territore ndërsa kishte premtuar shpërndarjen e 1.9 miliardë dozave deri në fund të 2021.
COVAX u krijua vitin e kaluar për të siguruar që vaksinat të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe udhëhiqet nga agjencitë e shëndetit publik, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetit. Pa mjaftueshëm vaksina, COVAX tani po mbështetet në dozat e dhuruara nga vendet e pasura, por shumica e dozave të premtuara nuk do të dorëzohen këtë vit.
Logjistika është një problem tjetër. Për të marrë vaksina nga COVAX, vendet duhet të tregojnë planin se si do t’i shpërndajnë injeksionet dhe që do t’u japin përparësi njerëzve me shumë të rrezikuar si punonjësit e shëndetit dhe të moshuarit. Por disa vende që kanë nevojë të madhe për vaksina nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se mund të zbatojnë plane të tilla dhe nuk kanë fonde për të kryer fushata imunizimi.
Në qershor, COVAX dërgoi rreth 530 000 doza në Britani më shumë se dyfishi i sasisë së dërguar atë muaj në të gjithë kontinentin e Afrikës.
Grupe të tjera kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Në korrik, Bashkimi Afrikan tha se kishte blerë 400 milionë doza të vaksinës Johnson & Johnson për 45 vende afrikane. Kina, Rusia dhe SHBA kanë dhuruar miliona vaksina. Në qershor vendet e G7 (Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.) thanë se do të dhuronin 1 miliardë doza për vendet e varfra.
Sidoqoftë, kjo është shumë më pak se 11 miliardë doza që OBSH thotë se janë të nevojshme për të ndaluar pandeminë.
Për të mbrojtur njerëzit në rrezik të lartë nga simptomat e rënda të COVID-19 në vendet e varfra, OBSH u ka bërë thirrje vendeve të pasura që menjëherë të dhurojnë më shumë doza dhe të ndalojnë planet për vaksinimin e fëmijëve dhe dhënien e dozave përforcuese të vaksinës.
“Ne po bëjmë tani zgjedhje të vetëdijshme për të mos mbrojtur ata në nevojë,” tha shefi i OBSH -së Tedros Adhanom Ghebreyesus.