Lista e kongresmenëve të larguarve nga politika amerikane po rritet çdo ditë e më tepër.
Së fundmi, Kryetari i Kongresit të SHBA-ve Paul Ryan —një emër i rëndësishëm për politikën e SHBA-ve lajmëroi se do të tërhiqet nga jeta politike.
Përveç Paul Ryan, dhe 54 anëtarë të tjerë të Kongresit kanë lajmëruar tërheqjen nga skena politike. 38 prej tyre janë nga Partia Republikane, ndërsa 17 të tjerë nga Partia Demokratike.
Gjithashtu një kongresmen republikan dhe një demokrat kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre.
Kjo do të thotë se, në zgjedhjet e ardhshme për Kongres, 57 politikanë do të kandidojnë më nga 435 anëtarë në total, pra, rreth 13 për qind të të gjithë anëtarëve të kongresit do të largohen nga jeta politike.
Sipas analizës së Qendrës kërkimore Pew, ky numër largimesh me vullnet të lirë është më i larti i 25 viteve të fundit, – duke përfshirë dhe një rekord më vete për Partinë Republikane.
Ndërkohë në Shqipëri, skena politike është dhe vazhdon të drejtohet nga i njëjti grup politikanësh prej më shumë se 25 vjetësh.
Kështu, sipas studimit të Institutit të Studimeve Politike, politikanë si Gramoz Ruçi, Sali Berisha, Pandeli Majko, Musa Ulqini e Erion Braçe kanë sunduar arenën politike në Shqipëri që prej vitit 1991.
Tabela tregon se deputetët me më shumë mandate janë drejtuesit më jetëgjatë në PS e në PD, përkatësisht Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha. Bashkë me mandatin aktual që do të zgjasë deri në vitin 2021, Ruçi dhe Berisha arrijnë 29 vite në parlament – shifër rekord në historinë parlamentare pas vitit 1990.
Të tjerë deputetë që kanë 17 deri në 20 vite në parlamentin shqiptar janë Anastas Angjeli, Bashkim Fino, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj (PS) dhe Genc Pollo, Edi Paloka, Dashamir Shehi e Fatmir Mediu nga e djathta.
Ajo që bie në sy është se në listën e deputetëve më jetëgjatë nuk ka asnjë grua.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, nga 140 deputetë, 61 prej tyre ose 44 për qind nuk kanë qenë deputetë në legjislaturën e kaluar.
Ndërsa, deputetwt si Tritan Shehut, Musa Ulqini, Anastas Angjeli u rikthyen në parlament pas disa vitesh mungesë.
Në listën e deputetëve të PD-së, 54 për qind ose 23 deputetë janë të rinj dhe 20 deputetë të rizgjedhur, ku në pjesën e rizgjedhur bëjnë pjesë edhe katër kryetarët e partive aleate, PR, PDK, PBDNJ, LZHK.
Në listën e deputetëve të Partisë Socialiste ka ndryshuar rreth 40 për qind të grupit parlamentar nga legjislatura e kaluar. Ndërsa në grupin parlamentar të LSI ndryshimi është më i vogël sesa në PD e PS.
Por, pavarësisht 61 deputetëve të rinj skena politike vazhdon të drejtohet nga të njëjtët figura si Ruçi, Berisha, Xhafaj, etj.