Henri Çili hodhi sot poshtë të gjitha akuzat e bëra nga prokuroria e Përmetit. Ai tha se do të kërkoj pafajësinë në gjykatën e Apelit.
“Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personave të kontaktuar, të afërm të personave në procese gjyqësore”.
Kështu e justifikoi Henri Çilin akuzën e prokurorisë së përmetit se i ka premtuar babait të dy të dënuarve Adil Aliko dhe Henri Çilit e Ilir Korbit, lehtësim të dënimit për djemtë, në këmbim të një toke në Gjirokastër, apartamente dhe shuma të konsiderueshme parash.
Ai tha se çdo bisedë me persona të ndryshëm ka pasur për qëllim zhvillimin e biznesit të tij dhe përfitimin e tij si ortak.
“Duke patur interes të ligjshëm si ortak, pas opinioneve ligjore të avokatëve të mi, kam takuar, paranegociuar dhe negociuar, ndërmjetësuar me persona të ndryshëm në funksion të kontratave për shërbime juridike dhe konsulenca të tjera që ofron çdo studio legale”.
Çili tha studio ligjore nuk ka marrë asnjë pagesë për dy çështjet nën hetim sepse ende nuk ishte mbyllur kontarta e shërbimit.
“Nuk kam fshehur asnjë të ardhur sepse në të dyja çështjet për të cilat dyshohet se kam kryer shkelje, për një arsye shumë të thjeshtë: sepse nuk kam realizuar në kuadrin legal të studios asnjë arkëtim, asnjë kontratë shërbimi, për arsyen e thjeshtë se në të dyja rastet kemi qenë në fazën e negociimit”.
Ai mohoi takimin me në gjykatës të lartë për të ndikuar një çështje ligjore:
“Në jetën time, asnjëherë nuk kam takuar asnjë gjykatës apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendime të ardhshme gjyqësore”.
Zoti Çili pranoi se ndërtuesit Sait Fishta e ka njohur përmes babait të vëllezërve Aliko:
“Është e vërtetë që kontaktin me zotin Fishta ka marrë shkas nga një lidhje miqësore e një prej klientëve të mi, por konteksti dhe arsye e dhurimit janë krejt të tjera dhe nuk lidhen më shpërblimet për çështjen Aliko”.
Ai pranoi dhurimin e dy apartamenteve nga ndërtuesi Fishta tek bashkëjetuesja e tij. Por sqaroi se dhurimi u bë me vullnet të lirë, në respektim të ligjit, me qëllim organizimin e kurseve verore dhe trajnimeve.
“Dhurimi i 2 njësive të shërbimit nga ana e sipërmarrësit Seit Fishta në kompleksin Fishta në Velipojë është bërë me vullnet të lirë, nënshkruar konform ligjit, janë paguar taksat dhe është kryer në funksion të një kooperimi të ardhshëm mes meje si sipërmarrës dhe kompleksit Fishta. Konkretisht kemi folur me zotin Fishta për ide dhe projekte për të realizuar atje kurse, trajnime, shkolla vere”.