CONAD hedh në gjyq qytetarin sepse denoncoi publikisht produktin e skaduar

CONAD hedh në gjyq qytetarin sepse denoncoi publikisht produktin e skaduar

Më 2 shkurt 2019, profesori Ilir Ciko denoncoi se një pako kërpudha të blera në supermarketin CONAD kishte të fshirë datën e skandencës dhe brenda kërpudhat ishin të prishura.

Në një postim në Facebook, Zoti Ciko shkruante:

“Bleva nje kuti me kërpudha, që më duheshin për një gatim. Kur i hapa në shtëpi, vura re se cilësia nuk ishte fort e pranueshme ndaj lexova etiketën në shqip, e cila si edhe për shumë produkte ushqimore të Conad-it kishte DATEN E PAKETIMIT (28 janar në këtë rast) dhe datën TE KONSUMOHET DERI ME (4 shkurt në këtë rast). Provova të heq etiketën shqip dhe nën të lexohej çmimi i shitjes në Itali (natyrisht dy herë më lirë) dhe pjesa ku jepej data e skadencës në italisht, ishte HEQUR.

U riktheva në dyqanin e Conad dhe pashë disa nga paketimet e tjera të kërpudhave. Te gjitha njësoj. Nën etiketën shqip, etiketa në italisht ishte e gërvishtur me kujdes vetëm në pjesën e datës së skadimit, e cila s’mund të lexohej më.”

Pas denoncimit, kompania “Food Trade”, e cila ka në pronësi supermarketet CONAD, paditi Zotin Ciko për shpifje dhe dëmtim të imazhit të kompanisë.

Gjergj Erëbara në një artikull për Reporter.al, tregon se çfarë ka ndodhur në seancën e parë gjyqësore:

Në kërkesën e saj para gjykatës, kompania deklaroi se nuk e ka hequr datën e skadencës dhe argumentoi se produktet e freskëta nuk mbajnë datë skadence dhe se ajo nuk ka shkelur asnjë ligj.

Në seancën e parë, gjyqtari i kërkoi palëve të shqyrtonin mundësinë e pajtimit, ndërsa Ciko deklaroi pas gjyqit se i qëndron statusit të tij dhe se do të luftojë akuzën e ngritur në emër të lirisë së fjalës.

Si çdo konsumator, më 2 Shkurt 2019, kam blerë një produkt ushqimor (kërpudha) në një nga dyqanet (Rruga e Kavajës) e Conad Albania në Tiranë. Produkti kishte etiketën në shqip të vendosur në mënyrë të dyshimtë mbi etiketën origjinale italiane. Pas heqjes së etiketës në shqip, vura re se informacioni mbi skadimin e produktit në etiketën italiane ishte gërvishur duke fshirë datën që ndodhej në të,” deklaroi Ciko.

“I shqetësuar nga një praktikë e tillë, në dukje e padrejtë, mashtruese dhe e dëmshme, kam shkruar një postim në Facebook rreth këtij rasti, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbrojë shqiptarët nga Conad dhe kompani të ngjashme që tregtojnë produkte ushqimore,” shtoi ai.

Në ditët në vijim pritet të mbahen seancat e radhës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>