Ish-deputetja demokrate Dhurata Çupi e quajti të padrejtë vendimin për t’i hequr një deputet qarkut të Dibrës, si pasojë e uljes së numrit të popullisisë së qarkut.
Përmes një postimi në Facebook, Çupi shkruan se shkaku kryesor përse të rinjtë dhe banorët janë largua nga Dibra është lënia në harresë nga ana e qeverisë:
“Dibra është më e prekura nga largimi i të rinjve, sepse është qarku i lënë më në harresë nga qeveria në ikje. 8 vjet në pushtet dhe nuk mbaruan dot as Rrugën e Arbrit, megjithëse e gjetën të nisur dhe me projekt të gatshëm.”
Sipas ish-deputetes, Dibra i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar turizmin malor, por mungesa e investimeve në infrastrukturë është fatkeqësia më e madhe e qarkut:
“Maja më e lartë në vend, Mali i Korabit ndodhet në qarkun e Dibrës, por madhështia e tij është lënë në hije. Liqenet e Lurës, megjithëse janë masakruar ndër vite, kanë një bukuri të rrallë.
Gjithçka ndodh, sepse nuk ka rrugë, nuk ka investime, por ka vetëm braktisje, në një zonë që njihet për njerëzit e vet punëtorë, të mençur dhe të ditur.”
Ajo theksoi se qeveria nuk ka bërë asgjë për t’i shtyrë dibranët të investojnë në vendin e tyre.
Në fund ajo shton dhe rolin e krimit, si një prej faktorëve për largimin e dibranëve:
“Krimi! Është i vetmi investim që kjo qeveri ka bërë gjatë këtyre viteve më qarkun e Dibrës! Strukturat e shtetit sot i drejtojnë bandat. Një grusht njerëzish drejtojnë gjithë qarkun, të cilin e kanë mbushur me drogë! Prandaj, dibranët ikin sot dhe lënë pas një zonë të mrekullueshme.”
Ish-deputetja Çupi shkruan se ulja e përfaqësimit në kuvend të dibranëve e matjanëve duhet të shërbejë si këmbanë alarmi:
“Zgjidhja më e mirë është të maksimalizojmë votën dhe të largojmë këtë qeveri të padrejtë, të pandershme dhe diskriminuese! Me minus duhet të dalë Edi Rama, jo dibranët dhe matjanët!”