Darka e Kryeministrit me përfaqësues të medias – 5 gjëra që kuptuam

Darka e Kryeministrit me përfaqësues të medias – 5 gjëra që kuptuam

Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Rama dha, dje në mbrëmje, në Pallatin e Brigadave një pritje-darkë për gazetarë dhe përfaqësues të mediave. Në fillim të saj përshëndetën tre gazetarë, pas të cilëve mbajti një fjalë rasti Kryeministri Rama.

Nga takimi dhe veçanërisht fjalimi i Kryeministrit kuptuam disa gjëra.

1. Gazetarët shqiptarë, në përgjithësi, kanë varësi ndaj pushetit dhe nuk shkëputen dot prej tij. Pas trajtimit përbuzës dhe tallës të vitit të shkuar, ishe e arsyeshme të mendohej që shumë prej tyre nuk do t’i përgjigjeshin ftesës së Kryeministrit. Andi Bushati, Arian Çani dhe Mustafa Nano ishin të vetmit që e bënë (Fatos Lubonja e ka bojkotuar përherë).

Të tjerët ishin të gjithë aty. Madje dhe disa që u fyen rrugaçërisht me fjalë poshtëruese nga Kryeministri vitin e shkuar. Të gatshëm për t’iu nënshtruar abuzimit të rradhës. Mjaft që dhuna të vijë nga duar kryeministrore, mjaft që ata të mos mbeten jashtë “elitës” së vendit. “Trimëria” e vetme dhe shenja e vetme e “dinjitetit” prej tyre ishte që nuk duartrokitën për Endri Fugën, kur Kryeministri ua kërkoi pasi i përçmoi duke ju deklaruar se Endri i njihte mirë së çfarë malli ishin ata.

2. Kritikat ndaj tij po shndërrohen në një shqetësim madhor për Kryeministrin. Ky shqetësimi qe më i dukshëm se ndonjëherë më parë gjatë takimit të mbrëmshëm: i gjithë fjalimi i Kryeministrit, nga fillimi deri në fund, iu kushtua kritikave të medias ndaj tij.

3. Strategjia e Kryeministrit përballë kritikave duket se është: portretizoi kritikat si produkt i kulturës së thashethemeve dhe mosmironjohës së shoqërisë shqiptare dhe veten si viktimë e kësaj kulture. Në fjalimin e mbrëmshëm, Kryeministri tentoi t’i zhvlerësonte dhe bënte qesharake kritikat ndaj tij, dukë thirrur në ndihmë figura të kuptimit dhe sintaksës poetike si hiperbola, enumeracioni apo gradacioni, dhe intepretimin qesëndisës.

Kështu, ai u shpreh se kundër tij ka patur

“analiza, diagnoza, prognoza në vetëm në një vit, ku t’ju them të drejtën, pa qenë edhe vetë i vetëdijshëm, kam mbretëruar, sunduar, shtypur, grabitur, djegur, shkatërruar dhe oh, ç’qejf, o qejf! kam bërë me sejmenë teveqelë, bufonë, klounë, akrobatë, valltarë, rreth zjarrit të madh të ferrit që e ushqej me trupat e të varfërve.”

dhe

“Sa shumë mund ishte derdhur këtë vit, për të më bërë copa e cika dhe për të nxjerrë nga çdo copë e nga çdo çikë, konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, qëllimet e mia infantile, dëshirat e mia të cekëta, synimet e mia të zymta, deformimet, komplekset, fanepsjet, frikërat, halat në syrin tim, gjëmimet në veshët e mi, ngacmimet në hundën time, të fshehtat në gjak, në bark, në mushkëri, madje edhe në bisht.”

Pas kësaj përpjekje zhvlersuese i erdhi rradha protretizimit të vetes si viktimë e padrejtësive të medias:

“Unë jam mes jush, tanimë, si kavia kryesore e punës suaj, që duhet të pranoj pa u ndjerë bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë e me radhë.”

4. Kryeministri mbetet një pamfletist sipërfaqësor. Edhe ky fjalim i tij nuk kishte asnjë ide, asnjë mesazh, asgjë thelbësore. Dukej thjesht si një trakt apo pamflet denoncues ndaj “padrejtësive”. Asnjë reflektim, asnjë përpjekje për të menduar. Thjesht inflacion figurash letrare dhe elokuencë sipërfaqësore në vend të arsyetimit, argumentave apo ideve.

Duket, se mendimi intelektual dhe politik i Zotit Rama se ka mbetur diku në mesin e viteve 90-të, kur për t’u dukur intelektual mjaftonte që të shkruaje pamflete kundër qeverisë duke përdorur stil dhe figura letrare dhe një shqipe më të freskët se shqipja e drunjtë e dikaturës. Këtë e konfirmoi edhe në fjalimin e tij teksa e quajti veten “shkrimtar faqesh të shtypit të shkruar.”

5. Fjalimi i Kryeministrit pati, megjithatë, një sërë risish:

  • Ai ishte fjalim i shkurtër – ndoshta fjalimi më i shkurtër që ai ka mbajtur si Kryeministër;
  • Ishte fjalimi i parë formal publik që nuk kishte asnjë citat nga figura historike apo të shquara;
  • Ishte fjalimi i parë ku nuk u përmend asnjë heroizëm apo arritje e madhe e tij;
  • Ishte, ndoshta, fjalimi i parë që nuk ka përmëndur Papa Françeskun që mbas vizitës së Papës në Shqipëri.
  • Ishte fjalim ku për herë të parë nuk pati inflacion emrash dhe referenca ngjarjesh: nga 32 emra që përmëndi në të njëjtën darkë një vit më parë, këtë herë përmendi vetëm dy emra, këshilltarin e tij Endri Fuga dhe Fatos Lubonjën.

6. Kryeministri vazhdon të jetë i fiksuar me idenë se koha ikën shpejt, prandaj ne duhet të qeshim e t’i buzëqeshim.

Dhjetor 2014:

“’…dua t’ju them se teksa luftojmë dhe na luftojnë, nuk kemi pse të harrojmë të qeshim.’

‘…nuk na falet të plakemi pa e kuptuar se jo vetëm sa të përkohshëm jemi në këtë botë, por dhe sa

shumë më tepër janë gjerat për tu bërë, përfshi edhe ato për të qeshur, sesa ato që kemi bërë, fatkeqësisht duke e marrë veten shumë shpesh më seriozisht se ç’duhet.’

‘…kjo periudhë mua më ka ndihmuar shumë më tepër se sa më parë, për të kuptuar dhe për të ndjerë më shumë atë që thashë tani në fund: që jemi të përkohshëm dhe mbi të gjitha që sa më shumë ta marrim veten me seriozitet, aq më pak kemi mundësi të bëjmë gjëra mirësish serioze.’”

Dhjetor 2015:

“‘…përkohshmëria jonë në këtë botë është kaq e shpejtë, sa që sinqerisht nuk ka asnjë kuptim që të jetojmë duke harruar të qeshim me njeri-tjetrin dhe t’i buzëqeshim njëri-tjetrit, sa më shumë.’

‘…koha kalon me shumë shpejtësi, për t’u humbur vetëm me gjëra që i marrim ndonjëherë më shumë seriozisht seç duhet dhe duke harruar që t’i buzëqeshim njëri-tjetrit.’

‘…unë kam dëshirë t’ju shikoj të gjithëve të buzëqeshur, por të jeni të sigurt që është një dëshirë shumë e sinqertë, që buron nga arsye të mirëmenduara, të cilat më mirë t’i lëmë për vitin tjetër.’”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>