Dashuri në kohën e koronavirusit, bashkëjetesa në karantinë

Nga Exit News
Dashuri në kohën e koronavirusit, bashkëjetesa në karantinë

Kufizimi i lëvizjeve dhe distancimi social ka detyruar ndryshime rrënjësore të jetës në çift apo familje, tashmë mbyllur nëpër shtëpi.

Në Kinë, pas lehtësimit të situatës me pandeminë e koronavirusit, është vënë re rritje divorcesh.

Zyrtarët kinezë e kanë lidhur këtë prirje si efekt anësor të situatës së kaluar nën izolim prej virusit.

Psikologët thonë se duke qenë nën një nivel të lartë stresi e ankthi prej pandemisë së koronavirusit, shumëkush mund të mos jetë mirë emiocionalisht.

Ndërthurja e ankthit, stresit dhe ndjesisë së frikës mund të nxisë situata depresive, të cilat mund të bëjnë që problemet familjare, apo problemet në çift të përthellohen.

Por çfarë mund të bëjmë për të mos pësuar një gjendje të tillë dhe që mbyllja në shtëpi të mos kalojë keq me të dashurit tanë?

Flisni dhe dëgjoni njëri-tjetrin

Stresi, frika dhe ndjesitë e ankthit mund të nxirren duke i folur prindërve, partnerit, apo partneres.

Në varësi të karaktereve, shumëkush mund të ketë tendencë t’u japë zgjidhje problemeve, por në situatën në fjalë këshillohet më shumë që t’i lihet hapësirë njëri-tjetrit për të folur dhe për t’u dëgjuar pa ndërprerje, me tolerancë dhe pa hatërmbetje.

Karantinë brenda karantinës

Për faktin se do të kalohet kohë e gjatë në mjedis të mbyllur, koha dhe lëvizja e kufizuar mund të nxisin mërzi.

Analizoni kush janë gjërat që ju mërzisin më shumë dhe mundohini t’i izoloni apo mbani larg ato, si për shembull lajmet e vazhdueshme rreth zhvillimeve më të fundit rreth epidemisë.

Gjeni një hapësirë dhe diçka të veçantë për të bërë, si për shembull këndi i qetë i një dhome ku mund të qëndroni për të lexuar, korridori ku mund të ushtroheni me ushtrime të thjeshta fizike, apo ballkoni ku mund të merrni pak diell.

Rutina e të dalit për një gjiro mund të zëvendësohet me shfletimin e një libri, të shikuarit një filmi apo një videokasete të vjetër të familjes.

Ndani punët dhe përgjegjësitë e shtëpisë

Punët e shtëpisë mund të shfryjnë stresin, të shpërqendrojnë vëmendjen dhe ndjesitë e frikës prej koronavirusit.

Sigurisht si fillim duhen ndarë: kush do të gatuajë, kush do të lajë pjatat, kush do të pastrojë, kush do të kujdeset për pazarin. Nëse nuk bihet dakord, mund të vendoset edhe me lojë.

Në familje këtu mund të përfshihen edhe fëmijët. Punët mund të bëhen me vlerësim dhe pikëzim, ku në fund kush merr më shumë pikë mund të përfitojë një tortë, të luajë kompjuter, apo të shohë filmin e tij të preferuar.

Koha e familjes është e çmuar. Mbase nëse dëgjojmë, kuptojmë, qeshim dhe dashurojmë njëri-tjetrin do të mundemi që këtë stres prej periudhës së vështirë të mbylljes nga pandemia ta kthejmë në forcë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>