Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi të premten se qeveria synon të përmirësojë administrimin fiskal përmes reformës së fiskalizimit, nisur në 1 janar.
Duke folur nga Vlora, Denaj tha se fiskalizimi është pjesë e “revolucionit digjital të shërbimeve që po ndërmerr qeveria shqiptare”.
Ky proces, tha Denaj ka në themel kalimin nga fatura e zakonshme në faturë elektronike, në të gjitha transaksionet.
Të premten Denaj së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, zhvilluan në Vlorë, një takim informues me përfaqësues të institucioneve publike.
Gjatë takimit Denaj tha:
“Reforma e fiskalizimit, ndryshimi i mënyrës së faturimit është një proces, i cili do të hap tregun në përdorim të shumë prodhuesve të zgjidhjeve softuerike. Nga ana tjetër qeveria është kujdesur që për biznesin e vogël të mos kishte asnjë kosto shtesë.”
Siç Exit News ka shkruar më parë, nga 1 janari 2021, të gjitha bizneset që lëshojnë fatura për institucionet shtetërore dhe çdo ent publik, do të mund të lëshojnë vetëm fatura elektronike.
Ky është hapi i parë i sistemit të ri të fiskalizimit, një proces që qeveria Rama e ka njoftuar prej vitesh, po ende nuk e kishte realizuar.
Kalimi nga faturat e zakonshme tatimore drejt asaj elektronike, kërkon që bizneset të sigurojnë disa pajisje dhe kushte:
-Pajisje elektronike (kompjuter, laptop, tablet, etj.);
-Zgjidhje software të ofruar nga një subjekt i certifikuar;
-Mirëmbajtës të certifikuar të zgjidhjes software-ike;
-Lidhje të pandërprerë me internet;
-Certifikatën elektronike për fiskalizimin, që merret pranë AKSHI-t.
Lidhur me softwaret e licensuara, Drejtoria e Tatimeve do të publikojë emrat e subjekteve që do të certifikohen të cilët do të kenë të drejtë të tregtojnë zgjidhje softëare-ike për fiskalzimin e faturës elektronike.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, reforma e fiskalizimit do të rrisë të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit me 15 për qind.