Denaj: Fiskalizimi, pjesë e revolucionit digjital që po bën qeveria

Nga Exit News
Denaj: Fiskalizimi, pjesë e revolucionit digjital që po bën qeveria

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi të premten se qeveria synon të përmirësojë administrimin fiskal përmes reformës së fiskalizimit, nisur në 1 janar.

Duke folur nga Vlora, Denaj tha se fiskalizimi është pjesë e “revolucionit digjital të shërbimeve që po ndërmerr qeveria shqiptare”.

Ky proces, tha Denaj  ka në themel kalimin nga fatura e zakonshme në faturë elektronike, në të gjitha transaksionet.

Të premten Denaj së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, zhvilluan në Vlorë, një takim informues me përfaqësues të institucioneve publike.

Gjatë takimit Denaj tha:

“Reforma e fiskalizimit, ndryshimi i mënyrës së faturimit është një proces, i cili do të hap tregun në përdorim të shumë prodhuesve të zgjidhjeve softuerike. Nga ana tjetër qeveria është kujdesur që për biznesin e vogël të mos kishte asnjë kosto shtesë.”

Siç Exit News ka shkruar më parë, nga 1 janari 2021, të gjitha bizneset që lëshojnë fatura për institucionet shtetërore dhe çdo ent publik, do të mund të lëshojnë vetëm fatura elektronike.

Ky është hapi i parë i sistemit të ri të fiskalizimit, një proces që qeveria Rama e ka njoftuar prej vitesh, po ende nuk e kishte realizuar.

Kalimi nga faturat e zakonshme tatimore drejt asaj elektronike, kërkon që bizneset të sigurojnë disa pajisje dhe kushte:

-Pajisje elektronike (kompjuter, laptop, tablet, etj.);

-Zgjidhje software të ofruar nga një subjekt i certifikuar;

-Mirëmbajtës të certifikuar të zgjidhjes software-ike;

-Lidhje të pandërprerë me internet;

-Certifikatën elektronike për fiskalizimin, që merret pranë AKSHI-t.

Lidhur me softwaret e licensuara, Drejtoria e Tatimeve do të publikojë emrat e subjekteve që do të certifikohen të cilët do të kenë të drejtë të tregtojnë zgjidhje softëare-ike për fiskalzimin e faturës elektronike.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, reforma e fiskalizimit do të rrisë të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit me 15 për qind.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>