Denar Biba pranon takimin me Biankun, por mohon ta ketë shantazhuar

Denar Biba pranon takimin me Biankun, por mohon ta ketë shantazhuar

Pas Exit.al botoi dje një audio-përgjim ku dëgjohet nënkryetari i KQZ-së Denar Biba duke shantazhuar Ledi Biankun, gjyqtarin shqiptar në GJEDNJ, Zoti Biba e ka pranuar në dy intervista se e ka takuar Ledi Bianku në Strasburg në qershor 2014, gjatë qëndrimit të tij aty për të marrë pjesë në një takim zyrtar të qeverisë shqiptare me Presidentin e GJEDNJ-një Presidenti Dean Spielmann.

Edhe pse Biba është një zyrtar i një institucioni shtetëror të pavarur, ai konfirmoi se u takua me Biankun për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me GJEDNJ-në, por mohon ta ketë shantazhuar atë. Në intervistën e parë, të botuar në Gazeta Shqip, Zoti Biba shprehet:

“Në asnjë lloj rrethane nuk ka qenë ndërhyrje e paligjshme. Të dalë biseda e plotë dhe e pacensuruar dhe do të kuptohet që ka qenë biseda mes dy miqsh që ndahen dhe bisedat e punës. Asnjë lloj shantazhi dhe asnjë lloj ndërhyrje. Nuk ka absolutisht asgjë.”

Biba pohoi gjithashtu se ka qenë pjesë e delegacionit zyrtar, deklaratë e cila duket jo e vërtetë. Delegacioni zyrtar përbëhej nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri aktual i Bujqësisë Niko Peleshi, Prokurorja e Shtetit Alma Hiçka, ish-Zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi, dhe drejtoresha e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave (AKKP) dhe Ministrja aktuale e Shtetit për Mbrojtjen e Bizneseve Sonila Qato. Megjithatë, Biba pohon:

“Unë e kam takuar mikun tim Ledi Bianku, ndër të tjera edhe në vizitën zyrtare pranë GJEDNJ, ku isha pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish zëvendëskryeministri i kohës [Niko Peleshi].”

Për sa i përket një deklarate në audio në të cilin Biba dëgjohet të shantazhojë Biankun duke sugjeruar se ai mund të mbetet pa punë nëse nuk ndihmon për të ndaluar çështjet e pronave në GJEDNJ kundër Shqipërisë, Biba pretendoi se ishte “montim”:

“Metafora e trenit ishte në përgjigje të pyetjes që Bianku më bëri mua se “përse pranova detyrën e kryetarit të KPP”, duke qene se ishte në dijeni të aspiratës sime për Gjykaten Kushtetuese”

Në intervistën e tij me Balkanweb, Biba konfirmoi më tej se ai me të vërtetë e takoi Biankun me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi për të diskutuar çështjet e pronësisë në GJEDNJ:

“I thashë me kërkesë të Agaçit, bashkë me Peleshin për këtë kërkesë. Është e pamundur që të shantazhohej dikush që nuk kishtë gjë në dorë.

Më ka thirrur sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, dhe si eksperti i Kushtetueses të asistoj zëvednëskryeministrin Peleshi për të kërkuar shtyrjen e pagesës së të shpronësuarve. Shteti shqiptar do të kërkonte një shtyrje të dytë, me këtë cilësi kemi qenë atje.”

Megjithatë mbetet e vështirë të besohet se qeveria e Ramës do të dërgonte një zyrtar shtetëror të pavarur, i cili ishte përgjegjës për një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të paanshme në vend, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me një fluturim të paguar nga qeveria për në Strasburg për t’u takuar me një gjyqtar të pavarur të GJEDNJ-së pa pasur motive më të rëndësishme.

Në fund të fundit, është e padëgjuar që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të urdhërojë një zyrtar të KQZ-së të takojë këdo. Biba supozohet të jetë një zyrtar shtetëror i paanshëm dhe i pavarur plotësisht, jashtë çdo ndikimi nga qeveria. Çdo udhëtim me kërkesë të qeverisë, pavarësisht çdo “ekspertize”, është kërcënim për paanësinë e tij.

Pas thirrjeve nga udhëheqësi i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, burimet në Prokurorinë konfirmojnë se ka filluar një hetim mbi regjistrimin dhe vizitën e paraportuar të Bibës në Strasburg.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>